Fri, Nov 29, 2024

Çështja “Beleri”, Presidenti Begaj flet për Zërin e Amerikës: Të lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet

  • PublishedSeptember 22, 2023

SHBA

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka folur në një intervistë për Zërin e Amerikës nga SHBA, për çështjen e shumëpërfolur të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë Fredi Beleri.

Begaj tha se kjo çështje nuk është në dorën e Presidentit dhe duhet të lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet.

“Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë marrëdhëniet e një partneriteti strategjik, bazohen në vlerat më të mira të fqinjësisë dhe respektit mes njeri-tjetrin.
E kam pritur në zyrën time kryeministrin e Greqisë, kemi diskutuar për çështje të reja dhe të vjetra.
Kjo çështje nuk është në dorën e presidentit, ka lidhje me drejtësinë. Të lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet. Mendoj se drejtësia pas reformës së bërë me konsensus politik është në rrugën e duhur dhe është e pavarur”, tha Begaj.

Për marrëveshjen e detit, i pyetur nëse ka diçka që nuk shkon kur palët kanë rënë dakord për dërgimin e çështjes në Hagë dhe ministria e Jashtme ka kërkuar autorizimin për nisjen e negociatave, teksa Presidenti ka thënë se po e shqyrton kërkesën, Begaj deklaroi se kemi ngritur një grup ekspertësh që po shikojnë dhe ndërveprojnë për të arritur në një version të autorizimit në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Vlerësimi i kërkesës së bërë nga ministria e Jashtme nuk është çështje kohe, por duhet bazuar tek disa kërkesa ligjore dhe kushtetuese që duhet të mbajë kërkesa në fjale. Presidenti e ka detyrim kushtetues për çdo negociatë dhe marrëveshje ndërkombëtare. Kur unë të bëj vendimmarrjen e duhur do t’ju bëj me dije publikut dhe ju.
Po ne kemi ngritur një grup ekspertësh që po shikojnë dhe ndërveprojnë për të arritur në një version të autorizimit në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Begaj.

AlbaniaWeb.net