Gjyqtari Murat Lleshi doli në pension të parakohshëm kur u njoh me rezultatet e vetingut
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ndërpreu të hënën më 18 shtator procesin e vetingut për gjyqtarin e Dibrës, Murat Lleshi për shkak të daljes së tij në pension të parakohshëm, si dhe i ndali atij rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.
Më 15 dhjetor 2020, gjyqtari Lleshi është shortuar për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit dhe pak ditë më vonë ka filluar hetimi administrativ ndaj tij.
Më 4 korrik 2023, Komisioni ka përfunduar hetimin kryesisht për Lleshin për të tri kriteret e rivlerësimit dhe i ka njoftuar gjetjet, duke i kërkuar që të japë qëndrimin e tij. Afro dy javë më vonë, Lleshi ka dërguar në Komision shpjegimet dhe provat mbi rezultatet e hetimit administrativ, si dhe ka njoftuar se ka paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor kërkesën për dalje në pension të parakohshëm.
KPK shprehet se i ka kërkuar subjektit që të qartësonte pozicionin e tij lidhur me vijimësinë e procedurës së rivlerësimit, duke i bërë me dije dhe pasojat ligjore që passillte paraqitja e kërkesës së tij për t’u larguar nga detyra gjatë procesit të rivlerësimit.
Lleshi ka sqaruar se qëndrimin e tij mbi rezultatet e hetimit e ka paraqitur me qëllim të qartësimit të situatës dhe për të qenë bashkëpunues në lidhje me këtë proces. Por, ai ka theksuar se i qëndronte kërkesës për daljen në pension të parakohshëm pasi plotësonte kriteret e moshës dhe vjetërsisë si gjyqtar.
Po ashtu, ka njoftuar Komisionin se është njohur lidhur me aplikimin e pikës 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës që përcakton ndalimin për rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet në rast të dorëheqjes së magjistratit nga detyra gjatë procesit të tij të vetingut.
“[…]Subjekti parashtroi se pas shqyrtimit të kërkesës nga KLGJ-ja për dalje në pension të parakohshëm dhe pranimit të saj, nuk kërkon të rikthehet në sistem si gjyqtar apo prokuror etj. në të ardhmen”, citohet në vendim.
Pas administrimit të aktit të KLGj-së për miratimin e pensionit të parakohshëm dhe deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për gjyqtarin Murat Lleshi, KPK e ka thirrur subjektin në seancë dëgjimore, por ai është shprehur se nuk do ta ankimonte vendimin, si dhe nuk donte të dëgjohej.
Bazuar në këto rrethana, Komisioni vlerëson se Lleshi ka shprehur vullnetin për t’u dorëhequr nga detyra përpara kohe, duke plotësuar në këtë mënyrë kushtet për të kualifikuar këtë situatë faktike sipas parashikimit të nenit G të Aneksit të Kushtetutës.
Për rrjedhojë, më datë 18 shtator është vendosur ndërprerja e procesit të rivlerësimit kalimtar për gjyqtarin Murat Lleshi dhe është caktuar ndalimi emërimit të tij si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare.