Fri, Nov 29, 2024

Kuvendi shtyn miratimin e ligjit për rritjen e pagave Gjykatës Kushtetuese

  • PublishedSeptember 22, 2023

Mazhoranca dhe opozita vendosën me konsensus të enjten që të shtyjnë votimin e projektligjit të qeverisë që dyfishon pagat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Deputetët e PD-së kërkuan të futej sërish në procedurën parlamentare për rishqyrtim, por socialistët nuk janë dakord për ndryshime dhe e justifikojnë shtyrjen me mungesën e deputetëve të tyre në seancë.

Jorida Tabaku nga PD kërkoi që të diskutohej si pjesë e paketës së ndryshimeve në paketën e ligjeve të reformës në drejtësi.

“Shpresoj që të kemi një dakordësi nga kolegët e mazhorancës, që të tërhiqiet ligji sot dhe t’i ushtrohet procedurës parlamentare dhe t’i shkojë komisionit të ndryshimeve të ligjeve të reformës në drejtësi për të parë mundësinë për një reformë tërësore të sistemit të pagave”- propozoi ajo.

Sipas Tabakut, kjo do t’i jepte dinjitet sistemit dhe nuk cënon parimet të cilat është rënë dakord kur është miratuar reforma në drejtësi.

Propozimi i saj për shtyrjen u mbështet nga grupi socialist. Nënkryetari Toni Gogu ftoi kolegët e opozitës që kjo shtyrje të shërbejë si reflektim për ta që të “mos hedhin baltë mbi institucionet kushtetuese”.

“Jam plotësisht dakord që ta shtyjmë”- tha Gogu, duke shtuar se, -“ Gjykata Kushtetuese ka ndjekur procedurën ndaj ne sot e sjellim këtë propozim”.

Ai mbrojti projektligjin, që sipas tij, po korigjon “padrejtësinë në zemër të sistemit të drejtësisë”.

“Gjyqtarët kushtetues gjithmonë kanë qenë më të mirëpaguarit për shkak të punës, sepse garantojnë sundimin e ligjit në këtë vend”- tha ai.

Burime zyrtare nga grupi socialist i thanë BIRN-ut të premten se shtyrja e shqyrtimit dhe votimit në seancë nuk do të ndryshojë qëndrimin e tyre pro projektligjit, por ishte e kushtëzuar edhe nga 5 mungesa brenda grupit. Ndërsa kryetari i ri i grupit Blendi Çuçi nuk ishte i arritshëm për koment.

Një projektligj i tillë kërkon 84 vota pro që të miratohet.

Kryetari i grupit demokrat, Gazmend Bardhi tha se opozita nuk është kundër asnjë ligji që rrit eficencën e kësaj gjykate.

Përkundrazi, shtoi ai, “jemi në grup pune ku po punojmë prej disa muajsh në një paketë ndryshimesh në ligjet e reformës në drejtësi, në bashkëpunim me partnerët, ku kemi rënë dakord që nuk do të pranojmë asnjë ndryshim që kërkohet për privilegje apo përfitime shtesë të gjyqtarëve apo prokurorëve, por do të fokusohemi te eficenca”.

Bardhi e cilësoi projektligjin e qeverisë si, -“një favor për Gjykatën Kushtetuese për ta pasur tërësisht në kontroll”.

Projektligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, me propozimin e vetë Gjykatës Kushtetuese, parashikon që paga e një gjyqtari kushtetues të jetë rreth 644 mijë lekë, ndërsa e kryetarit të kësaj gjykate në vlerën rreth 773 mijë lekë.

Ky projektligj u konstestua gjatë shqyrtimit në komision edhe nga deputeti socialist Fatmir Xhafa si “i palogjikshëm dhe i pabazuar”.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë qëllimi i projektligjit ishte që të kalohet pak rroga e gjyqtarëve e prokurorëve të posaçëm, për t’u arritur që pagat e tyre të jenë në hierarkinë e pagës në gjyqësor.