Thu, Nov 28, 2024

NDI: Grupet e nënpërfaqësuara hasin pengesa në pjesëmarrjen politike

  • PublishedSeptember 22, 2023

Ditën e premte Rrjeti për Fuqizimin e Gruas në Shqipëri () me mbështetjen e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI) në Shqipëri prezantuan në një tryezë të përbashkët gjetjet e raportit në lidhje me përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e grupeve të nënpërfaqësuara në proceset zgjedhore në vendin tonë.

Ky raport nxori në pah problematikat kryesore lidhur me mungesën e diversitetit të grupeve vulnerabël në përfaqësimin politik.

“Partitë politike nuk kanë dispozita të dedikuara në statuset e partive dhe as strategji për fuqizimin grupeve të nënpërfaqësuara, të tilla si komuniteti +, minoritetet Rome dhe Egjiptiane, personat me aftësi të kufizuar, etj”, citon raporti.

Raporti u fokusua kryesisht në procesin e zgjedhjeve lokale të këtij viti, ku u vu re një mungesë e theksuar e përfaqësimit të këtyre grupeve.

“Nuk ka pengesa ligjore për pjesëmarrjen e këtyre grupeve në partitë politike apo proceset zgjedhore, por të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që ka pengesa shoqërore dhe individuale”, tha Edlira Ngjeci gjatë prezantimit të gjetjeve të raportit.

Sipas raportit, personat me aftësi të kufizuar nuk përfshihen në asnjë statut zgjedhor të asnjë partie politike.

“Barrierat kryesore që pengojnë pjesëmarrjen e plotë të personave me aftësi të kufizuar përfshijnë aksesin e kufizuar të mjedisit fizik dhe informacionit, të dhënat e ndara të padisponueshme për aftësinë e kufizuar, si edhe stereotipet dhe paragjykimet ndaj tyre”, citojnë gjetjet e analizës që kreu rrjeti AWEN.

Raporti gjithashtu ngre problematikën e pjesmarrjes së ulët politike të komunitetit dhe , si pasojë e ngurrimit të anëtarëve të komunitetit prej diskriminimit që u bëhet.

“Nuk kemi arritur akoma pas tërë këtyre viteve të kemi një përfaqësues në Këshillin Bashkiak”, u shpreh Romina Sefa, drejtuese ekzekutive e Qëndra për Advokim Social.

E njëjta dukuri ndodh edhe me anëtarët e komunitetit LGBT.

Raporti citon se nuk ka anëtarë të komunitetit LGBTIQ+ që kandidojnë apo marrin pjesë hapur si pjesë e këtij komuniteti në procesin zgjedhor në Shqipëri.

“Partitë politike ngurrojnë për të mbështetur pjesëmarrjen e tyre”, shtoi Edlira Ngjeci, gjatë prazantimit të gjetjeve.

Një tjetër problematikë që thekson raporti është ajo e parfaqësimit të grave dhe të të rinjve në politikë.

“Qasja e grave në financa konsiderohet si një ndër pengesat kryesore që pengoujnë pjesëmarrjen e grave në politikë. Gratë kanë më pak akses në rrjetet që ngrenë fonde për fushatat”, u shpreh Edlira Çepani, bazuar në raportet studimore të Rrjetit për Barazi në Vendimarrje.

“Sfida më e madhe e tyre, kur ne i kemi pyetur, ishte ‘të jesh grua në politikë’ dhe kultura patriarkale akoma e pranishme ”, përfundoi Çepani.