Thu, Nov 28, 2024

Saxhi, iraniani që këndon shqip në festivalin e …

  • PublishedSeptember 22, 2023

Një prej pjesëmarrësve në Festa e Këngës Shqiptare, organizuar nga Gjergj Leka ishte iraniani Sajad Sepehri. Si njeri i mbrojtur ndërkombëtarisht, muzikanti rrëfen vështirësitë në Shqipëri për të marrë një pasaportë e për të jetuar si qytetar i lirë, jetën në Holandë ku punon si kërkues shkencor dhe dashurinë për vendin ku njohu Ninën dhe krijoi familjen e tij. Saxhi, siç e njohin miqtë, solli një këngë në gjuhën shqipe, ndonëse ende nuk e flet aq mirë sa do të donte.

Sapo avioni u ul në pistën e Rinasit, qielli mbi krye i dha më në fund ndjesi lirie aq të munguar. Mbërrinte në Tiranë si njeri i mbrojtur ndërkombëtarisht, por kjo nuk e pengoi ta ndiente atë kryeqytet të huaj, si të qe i tij, por ku njerëzit jetonin të lirë, në demokraci e me dinjitet.

Atmosfera e frymëzoi për të shkruar një këngë, ndërsa vargjet që i pat dëgjuar njëherë e një kohë “Shqipëria ime, ja ku është…” i hapnin dyert e shpresës për një të ardhme më të mirë se e shkuara e trazuar, lënë pas në Iran.

Atë këngë e shkroi në persisht, por vargun që i jehonte dikur në gjuhën e panjohur, e la në shqip. Në shqipen që sot ka nisur ta flasë, me fraza të thjeshta dhe ta këndojë me vargje të thella. Sajad Sepehri mbërriti nga Amsterdami për të marrë pjesë në Festa e Këngës Shqiptare, organizuar nga kantautori Gjergj Leka, për të katërtin vit.

Me Lekën u njoh kur ishte banor i Tiranës. Historia e tij e jetës e ngacmoi dhe vendosi ta kishte personazh në një prej puntatave të emisionit “Na ishte njëherë muzika”, në News 24. Ndonëse Shqipëria zyrtare nuk qe aq dashamirëse me të, njerëzit që njohu i ndjeu si t’i kish bashkatdhetarë dhe prej 2016-s e ndjeu veten shqiptar.

“Do ta gjesh një rrugë” këndon në shqip muzikanti iranian vargjet e hedhura në një letër dashurie prej së shoqes, Ninës. Në Tiranë gjeti dashurinë, gjeti familjen dhe rigjeti muzikën, të cilën u shtrëngua ta linte pas në Iran.

Një baladë dashurie, që rrëfen vështirësitë e jetës së tij, të cilën e shoqja ia shkroi në shqip edhe si një rrugë për të mësuar gjuhën.

“Duke e ditur historinë time të dhimbshme, ajo më shkroi një letër apo një poemë dashurie. Ma lexoi në shqip dhe unë e kuptova. E çmova shumë. Ishte për jetën time, por i shkonte edhe jetës së saj. Këto vargje që ajo shkroi, unë ia dedikova asaj”, thotë Sepehri, ndërsa shton se nuk e kujton fort mirë nëse qe ide e Gjergj Lekës apo e tij, ta kthenin letrën në vargje këngësh. E ka titulluar “E di, dedikuar Ninës. Volumi 1”, rrëfen Sepehri të cilin në Shqipëri e njohin si Saxhi. Thotë se e shoqja, Nina, është një hero. “Mendova se kisha parë shumë në jetë, akte heroike, kam parë luftë, sakrifica dhe nuk mendoja se do të shihja sakrifica të niveli të atillë tek dikush, derisa e njoha. Është një hero, një nënë dhe grua shembullore dhe me shumë elegancë. Shoh sytë e saj dhe kuptoj se kështu më sheh Shqipëria dhe ashtu e shoh edhe unë Shqipërinë, ndërsa vështroj gruan time”, rrëfen muzikanti iranian.

Parapëlqen të mos flasë gjatë apo të ndalet në të shkuarën e dhimbshme në Iran e as nuk e kalon bisedën në planin politik dhe zhgënjimin nga vendi që e bujti për një kohë.

Në Shqipëri nuk ia bënë të mundur marrjen e një pasaporte, për ta nisur një të ardhme me dinjitet. Ishte Holanda që i hapi krahët për iranianin duke i mundësuar një vend pune si kërkues shkencor, ndërsa veç muzikës Sepehri rrëfen se e ka shtrirë angazhimin intelektual në fushë të psikologjisë, linguistikës dhe etimologjisë. Punon në dy universitete si kërkues shkencor në Amsterdam dhe sinë Hagë lektor dhe gjithashtu CEO i një Tech startup-i në fushën e edukimit. Rrëfen se një prej gjuhëve mbështetëse të aplikacionit është shqipja. “Gjuha shqipe më magjeps. Ka rreth 700 fjalë perse. E dua për atë që është: një gjuhë e lashtë. Nuk ishte edhe aq e huaj për mua”, thotë iraniani.

Kujton sesa gëzohej kur arrinte të kuptonte bisedat e thjeshta në rrugë apo dyqane dhe ndihej i fyer, kur njerëzit e dallonin se nuk ishte shqiptar. Në mendje, ndihej i tillë, por ishte e shoqja që e qetësonte duke i thënë se në fakt, ai ishte i huaj, ndonëse më një dashuri të madhe për vendin që e kishte pritur.

“E dua Shqipërinë, kulturën, njerëzit, gjuhën, vendin, gjeografinë, gjithçka rreth saj. Nuk i hyj sistemit, sesi janë të organizuara gjërat apo ekonomia, sepse dukshëm nuk është ashtu siç janë njerëzit”, thotë ai.

Tregon se hasi vështirësi këtu, me statusin e njeriut të mbrojtur ndërkombëtarisht dhe u largua, me po atë dëshirë që edhe mbërriti vite më parë, për të krijuar një jetë të re me dinjitet. Sot, rrëfen se ka mbërritur në këtë vend që e do shumë, me dinjitet, me dokumentet e siguruara prej një shteti europian që vlerësoi kredencialet e tij akademike dhe i dha mundësinë konkrete që ai dhe familje e tij, të jetojnë me dinjitet.

Por sytë i ka nga Shqipëria, në çdo kohë. E sheh si një lloj mëmëdheu dhe dashurinë dhe mikpritjen e gjen te njerëzit që njeh.

Ashtu si edhe te kantautori Gjergj Leka, që në këtë edicion të katërt e ftoi Sepehrin si konkurrent pasi për vite me radhë kishin ndarë dashurinë për muzikën.

Ishte pikërisht përmes tingujve, që u kuptua dhe u miqësua me kantautorin shqiptar, të cilin e vlerëson si një figurë që ruan dhe përçon trashëgiminë kulturore shqiptare. “Ky njeri i bën ëndrrat realitet për shumë breza dhe ua kalon dijet të rinjve, kompozon falas për ta. Një njeri i tillë, duhet admiruar dhe mbështetur nga qeveria, ministria e Kulturës, por edhe nga Komisioni Europian”, është i mendimit muzikanti.

Në netët e festivalit, që për të katërtin vit organizohet nga Leka si një sipërmarrje personale dhe realizohet me buxhet fare modest falë disa sponsorëve, Sepehri dhe kantautori shqiptar sollën një duet të ndjerë. Leka në piano, ndërsa këngëtari iranian i këndoi nënës në gjuhën e tij, perse. “E kuptoj muzikën si gjuhë universale. Me Gjergjin u lidhëm prej muzikës. I përkasim brezave të ndryshëm dhe nuk kuptoheshim mirë përmes gjuhës. Nëse vetëm do të kishim folur, nuk do të kishim shkuar shumë larg. Por na lidh në shpirt muzika, emocionet. Ai ka armën më të madhe në dorë, për të lidhur qytetërime, kultura e njerëz që nuk mund të komunikojnë me njëri-tjetrin”, thotë Saxhi.

Ditët në Shqipëri janë si një lloj çmallje me familjarët. Ndjen ngrohtësinë dhe buzëqesh edhe kur e sheh atë taksistin që e shoqëron nga aeroporti në Tiranë, të inatosur. “Është njësoj si në familje, kur njerëzve të dashur ua pranon edhe grindjet”, qesh ai.

Ishte kënga e parë në shqip, por nuk do të jetë e fundit, pasi as nga muzika e as nga Shqipëria nuk ka hequr dorë…

AlbaniaWeb.net