Tensionet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit diskutohen në OKB, ministri Hasani kryeson takimin për Nagorno-Karabakun në KS
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në cilësinë e Presidentit të Këshillit të Sigurimit, ka kryesuar takimin “Armeni – Azerbajxhan” në të cilën u trajtua përshkallëzimi i fundit ushtarak në rajonin e Nagorno-Karabakut.
Hasani u shpreh para Këshillit të Sigurimit se raportimet për përplasje ushtarake, me pasojë humbje në jetë njerëzish ishin shqetësuese.
Ai shtoi se pavarësisht sa komplekse mund të jenë problemet, konfrontimi ushtarak nuk është zgjidhja, ndërsa bëri thirrje për përmbajtje, qetësi, paqe dhe dialog mes vendeve.
“Raportimet për përplasje ushtarake, me pasojë humbje në jetë njerëzish ishin shqetësuese. Kemi ndjekur me interes zhvillimet e fundit në terren. Argumentet e paraqitura nga palët ndryshojnë shumë. Azerbajxhani pretendon se Armenia po organizonte akte armiqësore. Armenia vlerëson se ky ishte një sulm ushtarak në shkallë të gjerë kundër popullsisë civile. Këto konfirmojnë brishtësinë ekstreme të situatës dhe mosbesimin e madh mes palëve. Përsërisim thirrjen tonë që të mbahet prioritet mbrojtja e civilëve dhe ruajtja e zonave të banuara.
Pavarësisht sa komplekse mund të jenë problemet, konfrontimi ushtarak nuk është zgjidhja.Ne bëjmë thirrje për përmbajtje, qetësi, paqe dhe dialog. Përshëndesim arritjen e marrëveshjes së armëpushimit për të ndaluar veprimet ushtarake. Të dyja palët duhet t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje dhe të shmangin çdo përshkallëzim të mëtejshëm. Mbështesim përpjekjet Armeni-Azerbajxhan për të arritur një paqe të qëndrueshme. Procesi i normalizimit duhet të intensifikohet. Negociatat për një traktat paqeje duhet të vijojnë.
Inkurajues fakti që udhëheqësit e dy vendeve kanë rikonfirmuar publikisht angazhimin e tyre ndaj Deklaratës së Almatit. Respektimi i ndërsjellë i sovranitetit dhe integritetit territorial, bazë solide për të trajtuar dhe zgjidhur mosmarrëveshjet. Shpresojmë që takimi i planifikuar në Yevklah do të sjellë rezultate pozitive. Të drejtat e armenëve etnikë që jetojnë në Azerbajxhan duhet të respektohen. Nëse respektohen, komunitetet dhe pakicat kthehen në një vlerë të shtuar për shoqërinë e një vendi. Mund të shërbejnë si urë për marrëdhënie paqësore dhe miqësore midis vendeve fqinje”, u shpreh ministri i Jashtëm.