Thu, Oct 3, 2024

Ndezën zjarr dhe dogjën sipërfaqe të mëdha toke me ullinj dhe pemë frutore, katër të proceduar në Fier

  • PublishedSeptember 23, 2023

Katër zjarrvënës janë proceduar penalisht në Fier, pasi kanë djegur sipërfaqe të mëdha tokë me ullinj dhe pemë frutore.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Komisariateve të Policisë Fier, Lushnjë dhe Divjakë, në bashkëpunim me shërbimet mbështetëse, pas njoftimeve për 4 vatra zjarri në fshatrat Marinëz, Velmish, Gjonas dhe Babunjë, u identifikuan dhe u proceduan penalisht autorët e këtyre rasteve.

Policia bën me dije se janë referuar materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit S. P., 67 vjeç, banues në Marinëz, B. H., 60 vjeç, banues në Velmish, A. B., 55 vjeç, banues në Gjonas, M. S., 67 vjeç, banues në Babunjë, pasi kanë ndezur zjarr në tokat e tyre, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë janë djegur disa rrënjë ullinj, në pronësi të shtetasve të tjerë, sipërfaqe toke me pemë frutore dhe sipërfaqe toke me barishte dhe me shkurre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi ky veprim përbën krim dhe ndëshkohet penalisht, si dhe i fton ata që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të tillë, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e flakëve dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.

()

AlbaniaWeb.net