Fri, Nov 29, 2024

Dënimet me burg për Kokën dhe Bllakon, BIRN: Tri inceneratorët i kanë kushtuar taksapaguesve deri tani 150 milionë euro

  • PublishedSeptember 25, 2023

Ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka u dënua me 6.8 vite burg nën akuzat për korrupsion e pastrim parash në një gjykim ky 12 nga të pesëmbëdhjetë të akuzuarit u shpallën fajtor dhe u dënuan në total me mbi 40 vjet burg. Shumica dolën të lirë pasi vendimet e dënimit u pezulluan. Gjykata hoqi sekuestron preventive mbi shumicën e pronave të Kokës si dhe të një apartamenti të Bllakos.

Dymbëdhjetë nga pesëmbëdhjetë të akuzuarit për skemën korruptive të koncesionit të incineratorit dhe fushës së plehrave të Fierit u shpallën fajtorë të hënën nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në një nga tre procedimet penale të lidhura me të ashtuquajturën “aferë e incineratorëve”. Pas shpalljes së vendimit nga gjykata, shumica e të akuzuarve të shpallur fajtorë lanë qelitë pasi gjykata konvertoi dënimet e tyre me shërbim prove ndërsa në burg duket se mbetën vetëm Koka, ish-deputeti Alqi Bllako dhe Loran Duzha, ish-administrator i koncesionit të Fierit.

Ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka, i cili gjendet në paraburgim që nga dhjetori i vitit 2021, u dënua me 6 vite e tetë muaj burg. Ai përfitoi nga gjykimi i shkurtuar ndërsa është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave. Nëse vendimi do të mbetet në fuqi, Koka pritet të përfitojë edhe nga llogaritja me 1.5 ditë e periudhës së paraburgimit nga dhjetori i vitit 2021 dhe për rrjedhojë, mund të dalë nga burgu pas rreth katër vitesh. Ai është zyrtari më i lartë politik i dënuar pas ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili u dënua më 1993 në atë që gjerësisht shihet si gjyq politik. Koka po gjykohet veçmas për incineratorin e Elbasanit.

Biznesmeni Klodian Zoto, i cili gjendet në arrati që kur u shpall në kërkim në dhjetor të vitit 2021, mori dënimin më të lartë me 8 vite burg. Zoto u shpall fajtor për korrupsion aktiv dhe u dënua me dy vite burg, për mashtrim me pasoja të rënda dhe u dënua me 7 vite burg si dhe për krijimin e skemave mashtruese për TVSH dhe u dënua me gjashtë vite burg. Ai u dënua gjithashtu me tetë vite burg për pastrim parash.

Ish-deputeti Alqi Bllako u dënua për shpërdorim detyre me 2.8 vite burg në rastin e incineratorit të Fierit. Ai qe akuzuar për korrupsion nga SPAK, e cila pretendoi se ka përfituar 15 milionë lekë nga kompania e incineratorit të Fierit. Por në dispozitivin e vendimit të gjykatës, Bllako u dënua vetëm për shpërdorim detyre.

Disa zyrtarë, të cilët ishin pjesë e grupit të punës që miratoi kontratën e koncesionit, u dënuan me nga dy vjet burg për abuzim me detyrën. Po kështu edhe biznesmenët që besohet se shërbyen si hallka për tranferimin e parave. Të gjithë u dënuan me vendim të pezulluar, duke lënë në burg

Incineratori i Fierit ishte kontrata e dytë koncesionare që qeveria e kryeministrit Edi Rama i dha një grupi biznesmenësh të ndërlidhur, nën supozimin se vendi kishte nevojë për impjante të eliminimit të mbetjeve me djegie.

Në vitin 2020, Partia Demokratike në opozitë kreu një kallëzim penal që çoi në hapjen e hetimit për incineratorin e Elbasanit ndërsa në vitin 2021, Lëvizja Socialiste për Integrim, forca politike në emër të së cilës Koka pati shërbyer si Ministër i Mjedisit, e akuzoi atë publikisht për korrupsion duke zbuluar një skemë të transferimit të parave nga kompanitë e incineratorëve për te kompani apo persona të lidhur me të. LSI bëri denoncim në prokurori ndërkohë që Koka garoi në zgjedhjet e vitit 2021 për Partinë Socialiste duke fituar një numër të lartë votash. Koka dha dorëheqjen pak pas zgjedhjes si deputet dhe u arrestua disa muaj më vonë. Vendimi për Elbasanin pritet të jepet me 5 tetor.

SPAK po heton veçmas incineratorin e Fierit në bazë të kallëzimit nga Partia Demokratike.

Një hetim i tretë është në vijim, për skemën e incineratorit të Tiranës. Të trija skemat i kanë kushtuar taksapaguesve deri tani së paku 150 milionë euro./BIRN

AlbaniaWeb.net