“Festa e Këngës Shqiptare”, Alida Hisku i rikthehet çmimeve në festival
Në edicionin e katërt të “Festa e Këngës Shqiptare”, Hisku u shpall fituese me këngën hit, “Valsi i Fundit” e vlerësuar nga publiku. Organizatori i festivalit, Gjergj Leka, tha se çmimi nuk është vetëm simbolik
Ky nuk do të jetë valsi i fundit i Alida Hiskut. Ndonëse kënga e zgjedhur për të marrë pjesë në Festën e Këngës Shqiptare titullohej “Valsi i Fundit”, këngëtarja e njohur, që shënjoi muzikën e lehtë shqiptare prej fillim viteve ’70, nuk ka në plan të ndalet.
Jeton prej vitesh në Gjermani, por ftesat e kantautorit Gjergj Leka, i cili prej vitesh i ka kthyer projektet e tij në mision për të mos i lënë në harresë emrat e shquar të muzikës shqiptare, e kthejnë shpesh te publiku në Tiranë.
Në edicionin e katërt të “Festa e Këngës Shqiptare”, Hisku u shpall fituese me këngën hit, e vlerësuar nga publiku që ndoqi tri netët e festivalit të organizuar nga Leka, në amfiteatrin e Flumen Park, në fshatin Ibë.
Organizatori i festivalit, tha se çmimi nuk është vetëm simbolik, por kënga e Hiskut do të realizohet edhe me një videoklip. Hisku, e cila e nisi karrierën si këngëtare në Pallatin e Pionierit dhe rrëmbeu një çmim të dytë në Festivalin e Këngës në RTSh, kur ishte vetëm 13 vjeç, ia ka besuar tekstin dhe kompozicionin Leonard Sojlit.
Me nota humori, këngëtarja kujtoi çmimet e fituara në festivalet e këngës, në Shqipërinë nën diktaturë, që materializoheshin përmes orëve të famshme me zogun çukitës dhe stilolapsave kinezë.
“Gjergji na riktheu edhe njëherë emocionet për ju, që jeni publiku më i mirë në botë”, do të shprehej këngëtarja, ndërsa tërhiqte çmimin.
Kjo ishte edhe hera e parë që Gjergj Leka e mendoi të ndante çmime në Festa e Këngës Shqiptare, ndërsa në festival morën pjesë 38 artistë, të tre brezave të ndryshëm.
Ideja e tij ishte që evenimente të tilla, ku kujtohen dhe çmohen emrat dhe muzika me vlerë shqiptare të kishin vëmendjen e institucioneve publike, siç është RTSh. Ndonëse mbështetje e tillë mungoi, ai vendosi ta çojë përpara me përpjekjet e tij dhe ndihmën e disa sponsorëve, ndërsa ka treguar se ia ka dalë me një buxhet të vogël ta organizojë dhe realizojë, në të gjithë dimensionet e një spektakli, i cili u transmetua në tri të shtuna me radhë, në kanalin News 24.
Ky festival ndau nëntë çmime për pjesëmarrësit, ku me atë të Mirënjohjes u vlerësua këngëtarja Elida Shehu, artisti iranian Sajad Sepehri, pedagogia Sonila Kurti, e cila u prezantua në duet me Gjergj Lekën, me këngën “Lamtumirë Dashuri” – ku teksti i Arben Dukës erdhi si homazh për poetin e ndjerë. Këngëtari 95 vjeçar, Abdyl Sturçe u vlerësua me çmimin Nder i Këngës, së bashku me duon e mirënjohur mirditore Tone dhe Mark Gjoka.
Çmimi i Produksionit i shkoi këngëtares së re Elisa Skarra, një emër i spikatur nga “Talent Story”, një program i krijuar prej Gjergj Lekës dhe i transmetuar vetëm pak kohë më parë, në News24.
Interpretimi më i mirë i shkoi këngëtares Ilda Leka, e cila solli një baladë të fuqishme me lirika të Arben Dukës, “Urrejtje e Dashuri”, ndërsa kënga hit për të rinjtë u vlerësua ajo e 11-vjeçares së talentuar Dea Amoniku.
Organizatori Gjergj Leka zbuloi gjatë netëve se ky edicion i katërt, i cili nisi si një ngjarje për të kremtuar jetën në mes të pandemisë së koronavirusit, nuk do të ishte i mundur pa punën dhe përkushtimin e një grupi artistësh, miq të vjetër të tij me të cilët ka bërë muzikë gjatë viteve që jetoi në Trieste. Në këtë festival, Leka ka bërë bashkë artistë nga Ballkani dhe Europa si Amir Karaliç nga Bosnje dhe Hercegovina, Roby Tomat nga Sllovenia, Maurizio Principe dhe Stefano Bossi nga Italia, duke treguar se gjuha e muzikës është universale. Nuk mungoi në këtë edicion edhe bashkëpunimi i tij i ngushtë me tekstshkruesen e njohur Zhuljana Jorganxhi, e cila ishte autorja e vargjeve të disa prej këngëve. Ky është viti i katërt i këtij festivali, që tashmë e ka shtruar rrugën e traditës, ndërsa vitin e kaluar Gjergj Leka ngjiti në skenë disa emra të njohur të muzikës së para viteve ’90, përmes koncertesh recitale, por edhe spektaklit “La cantava mio papa”, ku zëri i Alida Hiskut jehoi me këngën e dashur “Vajzat e fshatit tim”, që mbetet ndoshta një prej këngëve himn dhe më të famshme të saj.