Fri, Nov 29, 2024

KPA dëgjon pretendimet përfundimtare për prokurorin Kujtim Luli

  • PublishedSeptember 26, 2023

 

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të martën pretendimet përfundimtare të palëve në çështjen e prokurorit dhe caktoi 6 tetorin si datë për shpalljen e vendimit në një proces në të cilin Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin nga detyra të subjektit me argumentin se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm të kursimeve dhe të shpenzimeve ndërsa Luli kërkoi konfirmim duke pretenduar se interpretimi i ligjit nga ana e Ballhysës është i gabuar.

Luli ka punuar në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi e ka nisur karrierën në vitin 1992 si prokuror ushtarak. Ai u konfirmua në detyrë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në dhjetor të vitit 2020 pasi doli në përfundimin se problemet e vërejtura në deklarimin periodik vjetor të pasurisë prej tij nuk përbënin shkak të mjaftueshëm për shkarkim. Por komisioneri publik e apeloi vendimin e konfirmimit duke argumentuar se një shumë prej 5 mijë dollarësh dhe 300 mijë lekësh të shpenzuara për arsimimin e fëmijëve në SHBA nuk ishte deklaruar prej subjektit në deklaratat periodike dhe se ai nuk mund të justifikonte me burime të ligjshme këto shpenzime.

Luli pretendoi se shpenzimet në fjalë kanë pasur për destinacion jetesën e fëmijëve gjatë shkollimit dhe për rrjedhojë, nuk mund të klasifikohen si “shpenzime për arsim” në kuptim të ligjit për deklarimin e pasurisë. Luli shtoi se shpenzimet në fjalë i ka mbuluar me kursimet e veta, por Ballhysa vuri në dukje mungesën e deklarimit të rregullt të kursimeve të mbajtura në shtëpi në deklaratat e tij vjetore të pasurisë.

Luli deklaroi se ai e kishte mbushur moshën e pensionit por se dëshironte të vijonte të kontribuonte në shërbimin e prokurorisë ndërsa deklaroi se ndjehej i fyer nga konkluzionet e Ballhysës: “Nga mënyra se si shprehet Komisioneri, është fyese dhe akuzuese dhe shpifëse,” deklaroi ai.

Më herët Luli pati akuzuar Ballhysën se gjendej në kushtet e konfliktit të interesit dhe se për këtë arsye, kërkesa e komisionerit për apelim duhej të rrëzohej duke u shpallur akt administrativ i pavlefshëm por KPA e rrëzoi këtë kërkesë si të pabazë.

Trupa gjykuese përbëhet nga , kryetare, , relator, dhe , , Rezarta Schuetz, anëtarë.