Gazetarët e Diasporës thirrje klasës politike për një tryezë teknike mbi variantet e votimit nga jashtë
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) me anëtarë në Zvicër, Francë, Itali, SHBA dhe Kanada i bashkohen betejës për Votën e Diasporës, ku nevojiten propozime konkrete për të promovuar mënyrën se si mund të votojnë shqiptarët me vendbanim jashtë.
Përfaqësues të këtij Unioni gazetarësh kanë nisur një cikël takimesh dhe kontaktesh me politikanë të lartë në Shqipëri jo më për t’i sensibilizuar për votën e Diasporës, sepse koha nuk pret, por për t’i vënë përpara përgjegjësive se çfarë plani konkret kanë në këtë drejtim.
Ligji shqiptar i ka fiksuar qeverisë si afat të fundit muajin janar 2024 për të shpallur modalitetet e votës së Diasporës, nëse synohet pjesëmarrja e saj në zgjedhjet legjislative të vitit 2025.
Pasiviteti i Qeverisë, kur kanë mbetur tre muaj, na shkakton një frikë serioze për sa i përket sinqeritetit të saj nëse e dëshiron apo ajo ta shohë Diasporën të votojë.
Konstatojmë se shumë zhurmë po bëhet dhe shumë para po hidhen në mondanitete, por propozime konkrete nuk po shihen në mënyrë që të materializohet një paketë ligjore për votën e Diasporës.
Qeveria bën sikur vepron nëpërmjet pranive diplomatike jashtë, nëpërmjet përzgjedhjes se disa eksponentësh ambasadash që kurrsesi nuk mund të përfaqësojnë Diasporën, nëpërmjet emërtimeve zhargonuese si « Ambasador i Kombit » apo « Koordinator i Diasporës », nëpërmjet financimit të disa mediave të ngritura në Diasporë, por realiteti është kokëfortë: katër muaj para mbarimit të afateve ligjore për mbylljen e paketës ligjore se si do të administrohet vota e Diasporeës, asnjë propozim ligjor konkret nuk po shpallet.
Ndaj pyetja që ne sjellim nga Diaspora dhe që asnjëherë nuk është shtruar në tryezat e politikës është: a ka një platformë konkrete klasa politike në Shqipëri, si ajo në pushtet dhe ajo në opozitë, në lidhje me variantet e ndryshme që mund të ekzistojnë për votimin nga jashtë shtetit.
Këtë pyetje ia bëmë fillimisht zotit Berisha si përfaqësues i grupit me më shumë deputetë të Opozitës në Parlament, një grup që ka domosdoshmërisht përgjegjësinë më të madhe për mbrojtjen e votës së Diaspores, si në ideal ashtu dhe në praktikë. Ai na siguroi se Opozita e tij nuk e vë në diskutim domosdoshmërinë që Diaspora të jetë e pranishme me votë në zgjedhjet e ardhshme legjislative dhe se deputetët e grupit të tij do të aprovojne çdo paketë ligjore që do te garantonte votën e Diaporës jo vetem të lirë por dhe sa më të thjeshtë.
Në këtë kontekst, ne gazetarët shqiptarë të Diasporës të UGSHPD-së, i lëshojmë sot një thirrje gjithë spektrit politik shqiptar, atij parlamentar si dhe atij që nuk ka përfaqësues në parlament që të mblidhet me një përfaqësues secili në një tryezë kombëtare të Votës së Diasporës. Unioni ynë i gazetarëve të Diasporës propozon ta monitorojë këtë tryezë, e cila nuk do të duhet jetë politike por teknike. Politikisht, të gjitha partitë në Shqipëri jane dakordësuar se Diaspora duhet të votojë më 2025. Le të kalojmë në vepra konkrete. Tryeza e perbashkët e punës duhet të diskutojë për mënyren më optimale dhe më të sigurt të të votuarit nga jashtë, duke përfshirë dhe mënyrën e hartimit të listave të zgjedhësve, apo atë vëzhgimit, kontrollit dhe numërimit të votës së Diasporës në të dyja variantet, atë fizik dhe elektronik. Ne kemi kompetencën e duhur për ta monitoruar këtë tryezë. Mbi të gjitha, ne kemi vullnetin dhe legjitimitetin e duhur, sepse bëhet fjalë për votën TONË.
Së fundi, ne kërkojmë dhe ndryshim fjalori. Shpesh klasa politike dhe mediat përdorin shprehjen “vota e emigranteve” në vend teë shprehjes « vota e Diaspores ». Fjala « emigrant » në këtë rast, përveç se nuk tingëllon bukur, nuk është e drejtë dhe nga pikëpamja ligjore. Shumë nga ne kemi krijuar familje jashtë shtetit, kemi fëmijë në moshë për të votuar, fëmijë që kanë lindur jashtë, të cilët nuk mund të konsiderohen si emigrantë. Fjala « Diasporë » është më e duhura që iu përshtatet të gjitha rasteve.
Shpresojmë se politika shqiptare do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për një tryezë kombëtare për Votën e Diasporës, rezultatet e të cilës të shpallen jo më vonë se data e festës kombëtare të 28 Nëntorit.