Shqipëria merr presidencën e radhës së Rrjetit Mesdhetar të Enteve Rregullatore. Asambleja 2-ditore zhvillohet në Shqipëri
Shqipëria mirëpret për herë të parë zhvillimin e Asamblesë Plenare të 22-të të Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore (MNRA). Konferenca do të mbahet në datat 28-29 Shtator dhe janë parashikuar të diskutohen çështje të rëndësishme, siç janë sfidat me të cilat përballet mjedisi mediatik në ditët e sotme. Në takimin e nivelit të lartë, ku do të jenë të pranishëm krerët e enteve rregullatore të vendeve anëtare të MNRA-së, presidenti i ERGA-s, Giacomo Lasorella, përfaqësues të platformës së Facebook, Tik-Tok, përfaqësues nga UNESCO etj, diskutimet janë të organizuara në formën e paneleve dhe workshop.
Në këtë takim të MNRA-së, pas votimit të bërë nga vendet anëtare, do të bëhet dorëzimi i Presidencës së radhës nga përfaqësuesi i entit rregullator Kroat, Josip Popovic, tek Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi e cila deri tani mbante postin e zv/presidentes.
Në axhendën e këtij viti është parashikuar që pjesëmarrësit të bëjnë prezantimet e tyre mbi temat kryesore qe kanë lidhje me tregun mediatik aktual, por edhe të vetë enteve rregullatore. Akti Evropian për Lirinë e Medias, që pritet të miratohet së shpejti nga Këshilli i Evropës është një nga temat interesante të kësaj Asambleje.
Akti Evropian për Lirinë e Medias është një instrument i ri shumë i dobishëm i Bashkimit Evropian mbrojtjen e pluralizmin dhe pavarësisë së medias. Pavarësisht se ky Akt ende nuk ka hyrë në fuqi, ai fokusohet në pavarësinë e mediave, por edhe në transparencën e pronësisë së medias dhe të shpërndarjes së reklamave publike. Ai përcakton masat për mbrojtjen e pavarësisë së redaktorëve dhe zbulimin e konflikteve të interesit.
Gjithashtu temë tjetër që do të shtrohet në panelet e diskutimit është edhe nevoja e rregullimit të funksionimit të Platformave të Shpërndarjes së Videove
Eksperienca e UNESCO-s në mbrojtjen e lirisë së medias do të jetë në ditën e dytë të Asamblesë ndërsa tema si “Edukimi mediatik” dhe “Gjinia dhe media” do të jenë të tjera çështje që priten të trajtohen në një working group me vendet pjesëmarrëse.
**
Rrjeti Mesdhetar i Autoriteteve Rregullatore (MNRA) daton që nga 1997. Në 29 Nëntor 1997 u nënshkrua marrëveshja e parë nga Autoritetet Rregullatore të Francës, Portugalisë, Italisë, Greqisë dhe Katalonjës për krijimin e një rrjeti të përhershëm të Autoriteteve Rregullatore të Mesdheut në mënyrë që të krijohet një platformë për diskutim, shkëmbim informacioni dhe kërkime mbi rregullimin e tregut mediatik audioviziv. Rrjeti Mesdhetar i Enteve Rregullatore numëron sot 27 anëtarë të cilët i bashkojnë marrëdhëniet miqësore mes tyre, gatishmëria për të konsoliduar shkëmbimin e rregullt të informacionit dhe përvojave për çështje me interes të përbashkët brenda kornizës në të cilën u krijua rrjeti. Vendet pjesëmarrëse konsultohen me njëra tjetrën në projekte kërkimi, ndërsa janë të gatshme gjithashtu të krijojnë dhe zhvillojnë marrëdhënie me organizatat dhe platformat ndërkombëtare të autoriteteve rregullatore të komunikimit audiovizual.