Deklarata e SHBA për dislokimin e serbëve në kufi me Kosovën, reagon Rama: Duhet deeskalim i menjëhershëm në kufi, liderët të veprojnë me maturi
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në mbrëmje lidhur me deklataratën e bërë sot nga Shtëpia e Bardhë për dislokimin e madh serb në kufi me Kosovën.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama bëri thirrje për deeskalim të menjëhershmëm në kufirin mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Shqipëria i bashkohet thirrjes së Qeverisë së SHBA-së për deeskalim të menjëhershëm në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. I bëj thirrje lidershipit të Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë me përgjegjësi dhe maturi. Shqipëria është e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”, shkruan Rama.
Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.
“Ne po monitorojmë një dislokim të madh serb përgjatë kufirit me Kosovën që paraqet një pjesëmarrje të paprecedent të artilerisë serbe, tanke dhe njësi të këmbësorisë. Ne besojmë se ky është një zhvillim shumë destabilizues. Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të tërheqë këto forca nga kufiri dhe të kontribuojë në uljen e tensioneve”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.