Fri, Nov 29, 2024

Trajneri i Kukësit pas ndeshjes: Kur ngacmon shpirtin, rezultati do të vijë

  • PublishedOctober 2, 2023

Trajneri i Kukësit, Stavri Nica analizoi fitoren 2-1 ndaj Erzenit.

“Ne kemi kërkuar e kërkojmë që Kukësi të bëhet skuadër shtëpie, të ndjejë fushën vet, ambientin e vet, duhet të ketë më tepër grinte në shtëpinë e vet dhe autoritet. Pastaj pjesa tjetër, i mbetet orientimit taktik, në pjesën e parë kishim difekte dhe jo në nivelin e duhur, nuk kishim agresivitet dhe bëri që kundërshtari të merrte terren. Megjithatë pësuam gol, por në të dytën me ndërrimet që bëmë dhanë fryte dhe skuadra reagoi me atë që i kërkojmë dhe shpresojmë që të mbajmë ritmin e lojës deri në fund.

Po të besosh te stërvitja, te trajnimi, te forcat që ke, sigurisht që edhe rezultati vjen. Po ngacmove shpirtin, do vijë rezultati.

Do menduar e punuar akoma më shumë për fazën ofensive se e shoh që nuk është besimi i duhur se po nuk sulmove e krijove më shumë, sigurisht edhe goli nuk vjen kollaj. Megjithatë, shpresojmë që skuadra të luajë pak më e shkurtër, më agresive dhe e ngushtë. Do edhe kohën e vet. vazhdimisht, dita-ditës, skuadra do rritet.

Asnjë nuk e ka vendin e sigurt, e merr ai që lufton. Në pjesën e dytë Hasaj luftoi e mori përsipër. Përderisa ka cilësi e shpirt gare, pse të mos luajë, do të futet në fushë ai që ka shpirt gare dhe i shkon disiplinës taktike të skuadrës.

Kryesore është që skuadra të ketë më shumë besim, të mos tërhiqet, se e shoh që tërhiqet. Edhe në fund të pjesës së dytë nuk kishte mbajtje topi, vertikalizime, është një tulatje.

Të jem i sinqertë mendoj ndeshjen e radhës, i bëj hyzmetin ndeshjes së radhës, si të rris gjendjen fizike me këto mjete e lojtarë që kemi. Duhet dita ditës, është e kotë të them se çfarë vendi do të kapim”, – tha ai.

(J.S/)

AlbaniaWeb.net