Propozoi pezullimin e taksës së qarkullimit gjatë 2022, PS rrëzoi sot pas 1 viti e gjysmë pr.ligjin e Vasilit
Në 9 mars 2022 deputeti i partisë së lirisë Petrit Vasili depozitoi ne Kuvend një projekt ligj për pezullimin deri në fund të 2022 të taksës së qarkullimit të mjeteve që aplikohet mbi karburantet. Nisma ligjore merrte shkas shtrenjtimin e fortë të naftës dhe benzinës prej luftës në Ukrainë me çmime deri në 250 lekë për litër.
Por për këtë projekt ligj kuvendi i Shqipërisë vendosi sot, më shumë se 1 vit e gjysmë më vonë, duke e rrëzuar me votat mazhorancas. Në komisionin e ligjeve deputetët socialist thanë se ky projekt ligj s’ka më kuptim pasi i ka kaluar periudha e zbatimit.
Është e paqartë se përse u zvarrit një projekt-ligj i tillë nga kuvendi, kur ai e kishte periudhën e zbatimit kufizuar në një afat kohor të afërt. Por deputetët e opozitës e kanë akuzuar shpesh herë qeverinë dhe mazhorancën që nuk fut në kalendar diskutimesh ndryshimet ligjore të që propozohen prej tyre. Ndërkohë nga ana tjetër, çmimet e karburanteve vazhdojnë të jenë të larta, jo si në kohën kur nisi lufta në Ukrainë, por gjithsesi në nivelin e 200 lekëve për litër dhe taksa e qarkullimit përsëri është një barrë për qytetarët.
()