Komisioneri Publik ankimon konfirmimin e prokurorit Enklid Gjini
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të martën më 3 tetor vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Enklid Gjini dhe duke kërkuar shkarkimin e këtij të fundit për probleme në kriterin e pasurisë dhe në vlerësimin e përgjithshëm të çështjes.
Në ankim konstatohen probleme për një apartament, dy automjete dhe në dy çështje të hetuara prej Gjinit, që janë denoncuar në KPK prej publikut.
Gjini u konfirmua në detyrë më 10 korrik me shumicë votash. Shumica e trupës së KPK e përbërë nga relatorja Firdes Shuli dhe anëtari Olsi Komici konkluduan se prokurori Gjini kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, si dhe nivel kualifikues për profesionalizmin. Kryesuesja Xhensila Pine doli në pakicë, duke çmuar se subjekti duhej të ishte shkarkuar pasi ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë; se ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm e ndërmarrë hapa për të fshehur pasurinë; si dhe se në vlerësimin tërësor të çështjes, ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Shumica e Komisionit ka çmuar se mospërputhjet në vlerat e çmimit të blerjes së një apartamenti me sipërfaqe 53.5 m2 në Tiranë në vitin 2007 dhe mënyrës së likuidimit të tij, nuk mund të penalizojnë subjektin, për arsye se nuk vërtetohet dhe as nuk ka dyshime për kryerjen e deklarimeve të rreme me qëllim fshehjen e ndonjë fakti e rrethane prej tij. Po ashtu, KPK ka konkluduar se investimi total në këtë pasuri është vërtetuar të jetë kryer me burime të ligjshme.
Pine në pakicë vlerësoi se nga shumica duhej të merrej në konsideratë se vlera e paguar për apartamentin ishte sipas kontratës në çmimin 1.9 milionë lekë, vlerë që ishte shlyer jashtë zyrës noteriale më datë 21 nëntor 2007. Ajo vërejti se të dhënat bankare dëshmojnë edhe një pagesë tjetër 20 mijë euro të kaluar më 7 dhjetor 2007 dhe vlerëson se duhej të ishin konsideruar të dyja këto shuma në analizën financiare, prej nga do rezultonte bilanc negativ.
Edhe Komisioneri Publik e gjen të pabazuar konkluzionin e shumicës së trupës së KPK. Ai vëren se mbeti e provuar se subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të kanë nënshkruar disa akte, të cilat referojnë çmime të ndryshme për pagesën e kësaj pasurie. “Deklarimi i subjektit gjatë hetimit administrativ, se e vetmja vlerë e paguar për blerjen e kësaj pasurie është shuma 20.000 euro, me burim kredinë bankare marrë në dhjetor 2007, nuk konstatohet të jetë në përputhje, as me aktet e administruara në dosje dhe as me vetë deklarimet e subjektit të rivlerësimit, si në DV-2007, ashtu dhe në D-Vett., ku referohet si çmim/vlerë e blerjes shuma 1.900.000 lekë”, citohet në ankim.
Duke iu referuar jurispudencës së Kolegjit, Komisioneri sjell në vëmendje se neni D i aneksit të Kushtetutës dhe ligji nr. 84/2016, për efekt të kryerjes së procesit të rivlerësimit kalimtar, parashikojnë detyrimin e subjekteve për të dorëzuar një deklaratë të re dhe të detajuar të pasurisë, udhëzime të detajuara të mënyrës së deklarimit, sikurse edhe penalitete në drejtim të prezumimit të masës disiplinore të shkarkimit, nëse vërtetohet deklarim i pasaktë e i pamjaftueshëm.
“[…]Në rastin konkret, subjekti i rivlerësimit ka deklaruar të njëjtën vlerë blerje pasurie prej 1.900.000 lekë, edhe në D-Vett., ndërkohë gjatë hetimit administrativ pohon se ky çmim nuk është paguar kurrë dhe nuk i është kushtuar rëndësi vlerës së vendosur në kontratë”, konstaton Ballhysa, i cili e gjen të pambështetur arsyetimin e Komisionit se deklarimi i çmimit të shitjes 1.9 milionë lekë, vlerësohet se është bërë referuar “çmimit të përcaktuar në kontratë dhe jo me ndonjë qëllim të caktuar për pasqyrimin në mënyrë të pavërtetë të çmimit të blerjes”.
Por, sipas Komisionerit, Gjini është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë këtë pasuri, duke e vendosur atë në kushtet e parashikuara në nenin 5, pika D, e aneksit të Kushtetutës që përcakton zbatimin e prezumimit në favor të shkarkimit.
Sipas Ballhysës, Komisioni, në analizimin e burimeve të ligjshme të subjektit dhe personit të lidhur me të, duhej të kishte marrë verifikuar mundësinë e tyre për të mbuluar me burime të ligjshme shumën 1.9 milionë lekë që sipas kontratës së shitblerjes është paguar deri në nëntor të vitit 2007. Në ankim thuhet se nga kjo analizë do të rezultonte pamjaftueshmëri e burimeve të ligjshme të subjektit prej të paktën 1.2 milion lekësh, duke e vendosur atë në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm.
Komisioneri shton se edhe sipas konsiderimit të Komisionit, pamjaftueshmëria e burimeve të ligjshme financiare që do të rezultonte rreth 550 mijë lekë, që do ta vendoste subjektin në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.
Këtë konkluzion, Ballhysa e bazon në vlerësimin tërësor, ku veç pamjaftueshmërisë konsideron edhe kontradiktat e deklarimeve dhe aspektet e fiktivitetit që referohen në hartimin e praktikës së dokumentare së kalimit të pronësisë së pasurisë.
Shumica ka çmuar se prokurori Gjini ka arritur nivel të besueshëm për pastërtinë e figurës duke e përmbysur një raport të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK, që bazuar në informacione për implikim në veprimtari korruptive, kishte konkluduar papërshtatshmëri.
Pakica e KPK vlerësoi ndryshe, duke çmuar se Komisioni duhet të vijonte kërkimin mbi gjetjen dhe vënien në dispozicion të fashikullit lidhur me një procedim. Pine shtoi se nga analiza e akteve të një procedimi penal tjetër të vitit 2015, rezultonte se vendimi i pushimit ishte marrë nga subjekti në kundërshtim me provat e administruara gjatë hetimit. Sipas Pines, Gjini ka krijuar kushtet e klimës së pandëshkueshmërisë në sytë e publikut, duke cenuar besimin e publikut te drejtësia.
Edhe Ballhysa vlerëson se dy procedimet penale nuk janë hetuar plotësisht dhe në mënyrë të gjithëanshme nga Komisioni.
Ashtu si në mendimin e pakicës së KPK, edhe Komisioneri Publik evidenton probleme për një automjet të blerë nga subjekti në vitin 2008. GJini ka deklaruar në vitin 2008 blerjen e këtij mjeti për shumën 200 mijë lekë ndërsa në 2016-ën ka deklaruar se e ka nxjerrë jashtë përdorimit për shkak të amortizimit. Ndërkohë, ai nuk e ka pasqyruar këtë pasuri në deklaratën “veting”, megjithëse nuk rezulton asnjë provë për nxjerrjen jashtë të përdorimit.
Pakica e KPK konstatoi se subjekti nuk shpjegoi se si e ka përdorur një automjet për një periudhë të gjatë disavjeçare, në shkelje të praktikave normale, pa kryer procesin e regjistrimit.
Pine vërejti se marrëdhënia e pronares me këtë automjet nuk krijon bindjen se ajo është pronarja de facto, pasi nuk e ka përdorur asnjëherë vetë. Po ashtu, konstatoi se prokurori Gjini nuk e provoi vlerën e blerjes së këtij automjeti nga pronarja, apo mundësinë financiare të saj; si dhe nuk ka paguar detyrimet doganore dhe regjistrimin e mjetit sipas parashikimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.
Sipas pakicës, këto rrethana të çojnë në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit jo vetëm ka kryer deklarim të pasaktë në deklaratën “veting” pasi nuk e ka pasqyruar këtë mjet, por edhe ka ndërmarrë hapa për ta fshehur këtë pasuri dhe vlerën reale të saj.
Komisioneri Publik vlerëson se pretendimet e subjektit se e ka përdorur këtë makinë për një periudhë shumë të shkurtër, nuk gjejnë mbështetje me përmbajtjen e akteve të administruara në dosje, duke e vendosur atë në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të fshehjes së ushtrimit të të drejtave mbi këtë send.
Po, ashtu mosdeklarimi i përdorimit të një mjeti tjetër në deklaratën “veting”, konsiderohet nga Komisioneri si deklarim I pasaktë.
Ballhysa kërkon që të konsiderohen në vlerësimin e përgjithshëm edhe gjetjet për disa denoncime nga publiku. Në një rast Komisioneri vlerëson se mungesa e zgjatjes së afatit të hetimeve për një çështje me pasoja në papërdorshmërinë e provave, si dhe mosdokumentimi i përgatitjes së ankimit, janë mangësi që duhet të konsiderohen në vlerësimin e përgjithshëm.
Edhe në një çështje tjetër të hetuar nga subjekti, pjesë e denoncimeve nga publiku, konstatohet prej Komisionerit se mungesa e zgjatjes së afatit të hetimeve është evidente dhe nuk është i besueshëm pretendimi për lapsus në urdhrin e regjistrimit penal në emër të një shtetasi tjetër nga ai i dërguar për gjykim.
Në përfundim, Ballhysa i kërkon Kolegjit që të marrë në shqyrtim shkaqet e ankimit dhe në përfundim të vendosë shkarkimin nga detyra të prokurorit Enklid Gjini.