Fri, Nov 29, 2024

Barcelona doli e “plagosur” nga fitorja në Porto, Xavi: Shpresoj që Lewa të shërohet për të dielën

  • PublishedOctober 5, 2023

Ndonëse me vuajtje, Barcelona mori fitoren e dytë në grup në Champions League, duke udhëhequr me 6 pikë të plota dhe duke mos pësuar gol në dy sfidat e para. Kampionët e Spanjës u mjaftuan vetëm me golin e Ferran Torres në fundin e pjesës së parë ndaj Portos në transfertë.

0-1 ndaj një rivali direkt në grup mjafton për katalanasit, të cilët ende nuk janë mposhtur në sezonin e ri. Gjithsesi, jo gjithçka shkoi mirë për Barcelonën. Lewandowski është detyruar të lërë fushën e lojës pas rreth gjysmë ore lojë për shkak të një ndërhyrjeje të ashpër të njërit nga mbrojtësit e Portos.

Analizat më të hollësishme pritet të nxjerrin shkallën e dëmtimit, por në Barcelonë janë optimistë për gjendjen e sulmuesit. Momenti tjetër negativ i mbrëmjes ishte në fund, kur Gavi doli me karton të kuq në minutën e 93-të, pas dy të verdhave.

Gjithsesi, Porto nuk arriti të shfrytëzonte epërsinë numerike për të barazuar. Trajneri Xavi Hernández pranoi se skuadra e tij vuajti në “Estadio do Dragao”:

“Ndodhën shumë gjëra, kemi pasur shumë vështirësi gjatë lojës. Pjesa e parë ka qenë mjaft e mirë, në të dytën nuk e kemi kontrolluar lojën dhe kemi vuajtur. Ky është Champions League dhe çdo gabim të kushton shumë. Lewandowski ka marrë një goditje shumë të keqe në kyçin e këmbës, e cila nuk e ka lejuar të vazhdonte. Le të shohim nëse do të shërohet për të dielën” – u shpreh Xavi.

()

AlbaniaWeb.net