Me armë zjarri në makinë, 20-vjeçari tenton t’i ikë policisë, por arrestohet pas aksionit
MIRDITË
Vihet në pranga 20-vjeçari që posedonte kallashnikov, i cili gjatë ndjekjes nga Policia, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas posedonte armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Start”, për kapjen dhe vënien në pranga të këtij shtetasi.
Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Pavlin Truci, 20 vjeç, banues në Rrëshen, Mirditë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të policisë së rendit publik”.
Gjatë operacionit, në Rrëshen, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin e këtij shtetasi dhe i kanë bërë shenjë për të ndaluar. Shtetasi Pavlin Truci nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, por falë veprimeve të shpejta është kapur nga shërbimet e Policisë.
Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri kallashnikov me një krehër me 27 fishekë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.