Rama mbërrin në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Spanjë, ja momenti kur takohet me Rishi Sunak
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Granada të Spanjës ku po mbahet samiti i Komunitetit Politik Evropian. Rama është shoqëruar edhe nga kryeministri britanik, Rishi Sunak.
47 liderë evropianë dhe të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen sot në Granada të Spanjës në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian. Të pranishëm janë edhe kryeministri Edi Rama dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në deklaratën që pritet të publikohet në fund të samitit do të nënvizohet “shtimi i përkushtimit për zgjerimin e Bllokut”.
Deklarata e publikuar nga disa media thekson se “duke shikuar drejt një unioni më të zgjeruar, si BE-ja ashtu edhe vendet e ardhshme anëtare, duhet të bëhen gati”. Një vëmendje të veçantë në këtë samit do të ketë situate e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë. Olaf Sholz, kancelari i Gjermanisë ka deklaruar se është e rëndësishme të gjendet një zgjidhje paqësore. Sipas mediave pritet që liderët evropianë të ulin në një tryezë presidentët e dy vendeve, Vjosa Osmani dhe Aleksandër Vuçiç.