Fri, Nov 29, 2024

Shqipëria pret Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga RYCO. Të rinjtë ndanë idetë e tyre në një udhëtim me tren

  • PublishedOctober 7, 2023

Shqipëria priti Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor me mbi 90 pjesëmarrës, 50 prej të cilëve ishin të rinj. Forumi Rinor është një ngjarje vjetore e cila organizohet nga RYCO, në margjinat e Samitit të procesi të Berlinit dhe mbahet për herë të parë në Shqipëri.

Aktivitete të tilla kanë si qëllim që të shërbejnë si platformë për pjesëmarrjen e të rinjve në ngjarje kyçe, që kontribuuojnë në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Forumi do të krijojë sinergji të RYCO-s që kryesohet nga Shqipëria, ndërkohë që Shqipëria shërben edhe si mikpritëse e Samitit të Procesit të Berlinit. Diskutimet nisen në Tiranë, për t’u zhvendosur më pas në Elbasan. Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi vlerëson rëndësine e këtyre takimeve mes të rinjsh, të cilët ndajne mes tyre problematikat që hasin sot vendet e rajonit.

“Forumi Rinor i Ballkanit Perëndimor, i cili është një event vjetor i organizuar nga RYCO krahas Samitit të Procesit të Berlinit, për mendimin tim ka një rëndësi të shtuar këtë vit, pasi për herë të parë Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit do të zhvillohet në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri, më 16 tetor. Ky është një tregues se BE-ja po rinovon angazhimin e saj ndaj këtij procesi, si dhe jep një mesazh të qartë për synimin e saj për të rritur nivelin e angazhimit dhe pranisë në rajon. Për këtë arsye, u bëj thirrje të gjithë 90 pjesëmarrësve, të rinjve dhe palëve të interesuara, të bashkojmë forcat dhe përpjekjet në punën tonë sot dhe nesër gjatë forumit, dhe shpresojmë të arrijmë një rezolutë të përbashkët për çështjet dhe pengesat që po ngadalësojnë rrugën e progresit për të rinjtë tanë dhe të gjejmë mënyrën për zgjidhjen e tyre. Një rezolutë e tillë, nëse realizohet me një zë të unifikuar, do të jetë manifesti ynë i të rinjve në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit dhe mesazhet e tij me siguri do të rezonojnë brenda dhe përtej vendit ku do të zhvillohet samiti”-u shprehMuzhaqi.

Zv.Sekretari i Përgjithshëm i RYCO tregon rëndësinë e aktiviteteve të tilla, përmes të cilave të rinjtë ndajnë idete e tyre për zgjidhjen e problematikave të rajonit, zëri i të cilëve do të ngrihet në Samitin e Liderve të Bashkimit Europian.

“Jam i lumtur që organizojmë këtë event, i cili synon të promovojë frymën e ndërveprimit mes të rinjve dhe bashkëpunimit rajonal. Ky takim që po organizojmë sot është nga më të rëndësishmit, pasi duam të marrim ide sa më të mira dhe kreative të të rinjve dhe të prezantojmë rekomandime gjatë Samiti të liderëve të Bashkimit Europian, në kuadër të procesit të Berlinit”.

Të rinjtë pjesëmarrës ndajnë impresionet e tyre nga këto takime, të cilat sipas tyre janë jetike dhe të rëndësishme për rajonin.“Do të flasim për paqen gjithëpërfshirëse, qëndrueshmërinë dhe demokracinë, të cilat janë jetike, dhe aq të rëndesishme për rajonin tonë. Kjo pasi ende nuk jemi të anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe është me rëndësi që të bashkëpunojmë në mënyrë që të arrijmë standardet e duhura dhe të jetojmë në një rajon me prosperitet”.
Një udhëtim 1-ditor me tren nga Elbasani në Durrës është zgjedhur si simbol i lidhjes infrastrukturore të Procesit të Berlinit, që synon aspiratën e të rinjve për transport miqësor ndaj mjedisit, si dhe për nevojën për përmirësimin e infrastrukturës në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pjesëmarrësit i bashkohen diskutimeve të mbajtura në vagonë të ndryshëm të trenit, përgjatë 3 orëve të udhëtimit.
Në fund të ditës, të rinjtë u mblodhën në një mbremje festive në një restorant në bregdetin e Durrësit.
Ndërsa këtë të shtunë, më 7 tetor, të rinjtë prezantuan rekomandimet e tyre, mbi bazë të diskutimeve që kishin zhvilluar një ditë më parë. Prezantimet u bënë tek Piramida në kryeqytet, përballë përfaqësuesve nga UNICEF, RCC, GIZ, OSCE, Ambasadës Britanike, Ambasadës Franceze etj.

AlbaniaWeb.net