Uzuni-Zaragoza tërbojnë Xavi-n, Granada i merr pikë mes kontestimesh. Atletico Madrid-Simeone zgjasin “martesën”
81% mbajtja e topit, por as kaq nuk mjafton për të dalë me pikë të plota nga transferta përballë Granada-s, jo vetëm kaq, por ekipi i Xavi-t vuan jashtëzakonisht shumë teksa shmangën humbjen vetëm në minutën e 85-të, sigurisht iu anulua dhe një gol në shtesë, por kjo ishte transferta e radhës që blaugranët ngecin. Uzuni me shokë trembën Barcelonën teksa Bryan Zaragoza kaloi Granada-n në avantazh që në minutën e parë ndërsa në të 29-të dyfishoi shifrat. Barcelona u rikthye në lojë vetëm në fundin e pjesës së parë ku Yamal ngushtoi shifrat në 2-1. Uzuni qëndroi në fushë deri në minutën e 58-të, pa mundur të lë gjurmë, kjo e kushtëzuar edhe nga forma fizike jo optimale.
Në minutën e 85-të, Barcelona barazoi shifrat në 2-2 me Sergi Roberto-n, por vendasit protestuan gjatë për faull në sulm. Zaragoza i shkoi shumë pranë edhe golit të tretë, por goditja e tij u përplas në shtyllën pingule. Në shtesë, në minutën e 95-të, Joao Felix iu anulua një gol për pozicion jashtë loje. Ky barazim, në këtë formë, nuk i lë një shije të mirë trajnerit Xavi: “Dominuam sfidën totalisht, krijuam shumë raste, por njëkohësisht bëmë edhe shumë gabime. Nuk mund të futesh në lojë në atë mënyrë. Një pikë në këtë sfidë nuk është e mjaftueshme, meritonim fitoren”, u shpreh Xavi.
Pas javës së 9-të në La Liga, Barcelona e sheh veten në vendin e tretë me 21 pikë, 3 më pak se Reali kryesues dhe plus një pikë në raport me Atletico Madrid. Ekipi i Diego Simeones mposhti Real Sociedad me rezultatin 2-1, vendosi një penallti e Griezmann në minutën e 89-të. Në shtëpinë e Atletico-s këtë periudhë po diskutohet edhe kontrata e trajnerit, e cila i përfundon më 30 qershor 2024, por mediat spanjolle shkruajnë se palët kanë gjetur akordin, ndërsa në javët në vijim do të bëjnë zyrtare arritjen e marrëveshjes për rinovimin e kontratës.