“Kur njëri vëlla bën betejë, tjetri i rri në krah e nuk e lëçit”, Gjekmarkaj tregon si u arrit konsensusi për rezolutën e Kosovës: Grupi i PS u tërhoq kur…
Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj u shpreh sot në parlament se qeveria e Shqipërisë në dekadën e fundit që në pushtet është Edi Rama e ka ulur intensitetin e lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kishte një pyetje direkte për Edi Ramën, sa njohje i ka siguruar Kosovës në 10 vite. Kërkoi unifikim dhe jo ndasi.
“Vëllau më i vjetër (i drejtohet Ramës) me dialekt tjetër sa njohje i ke siguruar Kosovës në 10 vite pushtet. Duhet ti qëndrojmë gjakut, gjuhës dhe aktualitetit; një komb një qëndrim. Unifikimi i qëndrimit të Shqipërisë me atë të Kosovës është mesazhi më i mirë që i japim të gjithë botës.
Fjala e plotë:
Duke dëgjuar fjalimin dallgë dallgë të Kryeministrit, i cili ndeshej në brigjet e dashurisë në një anë dhe të padurimit nga tjetra kuptova që e paska marrë malli për Kuvendin por aq sa e zgjati i ka hak dhe 6 muaj pushim. Meqenëse ai foli për vëllezër i duhet kujtuar kur njeri është ne beteje tjetri i rri ne krah nuk e leçit, përflet. apo qorton! Dhe nëse perifrazojmë Kadarenë tek Çështje te marrëzisë dhe “vllau me i vjetër me dialekt tjetër” 10 vite në pushtet sa njohje i ka siguruar Kosovës?
Menjëherë pas aktit terrorist të 24 Shtatorit, e gjithë klasa politike në Kosovë, u bë bashkë. Ata ndërtuan një qëndrim të unifikuar për situatën më 28 Shtator.
Veprimi i duhur dhe i vetmi i pranueshëm përballë një agresioni aq sa ç’që mot intuita për ti ikur “Ballkanit te hapur” si mbyllje për Kosovën.
Menjëherë pas kësaj ngjarje me efekte të shumta, Grupi ynë Parlamentar i PD -së propozoi miratimin e të njëjtit qëndrim edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.
Kosova ka mbi 100 vite që ndeshet me Serbinë ndaj edhe për 100 të tjera ne duhet ti besojmë reagimit, gjykimit dhe instiktive të saj për të. Hetimet më sakta për aktin terrorist i kreu vetë Serbia duke mbajtur zi e jaz për kriminelet duke i trajtuar ata si heronj. Pas kësaj çdo thirrje për hetime ndërkombëtare të çon drejt certifikimit të autorësisë.
Të nderuar kolegë!
Të gjithë bashkë duhet ti qëndronim objektivit që na imponon historia, rrënjët, gjaku e gjuha, të qenit shqiptar, aktualiteti dhe e ardhmja me moton që nuk lejon asnjë ekuivok “Një komb, një qëndrim”. Kujtimi i mijëra dëshmoreve nga Pjetër Bogdani e Isa Buletini, Shaban Polluzha e Adem Jashari a logjistika e kombit Fehmi Agani, Lufta e UÇK dhe vizionet gandiste të Prijësit Ibrahim Rugova po kaq janë thirrje për bashkuese.
Në sfidat e mëdha që po përfshihet Bota e djeshme siç e quan Cvajgu çdo mendjelehtësi apo filiz përçarje mund të kthehet në faj tragjik , pa e kuptuar edhe në tradhti.
Unifikimi i qëndrimit të Shqipërisë me atë të Kosovës ishte mesazhi më i mirë që ne i jepnim të gjithë botës, por veçanërisht shqiptarëve në Kosovë.
Ndërsa tulatjet e ndasitë , folklori e abuzimi, pasiguria dhe vonesa më i keqi i mundshëm.
Shqipëria në preambula të Kushtetutës e specifikon marrdhënien e saj me Kosovën ndaj të cilës nuk mund të jetë kurrë neutrale, indiferente, e hatërmbetur, narciziste, egoiste dhe inatçore. Para se shkruhej në librin themelor të shtetit ajo pulson në qenien e çdo shqiptari.
Unë shpreh keqardhjen që Grupi Parlamentar i PS, bëri një propozim i cili zbuste qëndrimin e Republikës së Kosovës në pritje iluzionesh. Por nuk me mungon aspak dëshira për t’i përgëzuar që u tërhoqën nga pozitat fillestare.
Ne humbëm 2 javë që të bindim kolegët tanë socialist që i vetmi standard i yni duhet të ishte ai i unifikimit me qëndrimin e Kuvendit të Kosovës.
Nëse Kosova thotë që Veriun e kontrollojmë ne se është toka jonë ne vetëm duhet ta mbështesim! Ne nuk jemi këshilltarë të KFOR-it që ti themi shpërndaj forcat në një suke a lendinë ne përrua apo lugine.
Nëse Kosova thotë që nuk na nevojitet konference ndërkombëtare por njohje të reja këtë duhet të themi e të bëjmë dhe ne.
Personalisht me ngjan se Shqipëria e ka ulur intensitetin e saj lobues për njohje të reja të Kosovës.
Ministria e punëve të jashtme në mënyre ciklike duhet ti raportojë këtij Parlamenti punën qe kryen në këtë drejtim.
Fatmirësisht, në fund kolegët socialist kuptuan se një qëndrim i Shqipërisë i ndryshëm nga ai i Kosovës, ishte në dëm të interesit kombëtar, ishte në dëm të shqiptarëve, ishte në dëm të Kosovës. Qëndrimi ndryshe na nxirrte faqe diplomacisë kudo si aventurier si varrmihës të interesave kombëtare, si haxhi qamiliste pa ndjenjën e atdheut.
Sot ne mbështesim pa rezerva Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, duke siguruar unifikimin e qëndrimit mes dy parlamenteve tona.
Në këtë mënyrë, Kosova më 29 Shtator dhe Shqipëria sot, dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023.
Se bashku ne kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me vetveten, me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës.
Duke pranuar sot Rezolutën e Parlamentit të Kosovës ne bashkërisht ofrojmë mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Kosovën dhe institucionet e saj, në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe vlerësojmë punën, angazhimin dhe rezultatet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës, institucioneve kushtetutese të Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë EULEX dhe KFOR.
Në këto sfida Kosova dhe Shqipëria, faktori shqiptar ne Ballkan nuk janë vetëm, ato kanë miqësinë e SHBA dhe vendeve perëndimore të cilën duhet ta ushqejnë çdo dite me mirënjohje, pa hile e rrahagjoksja si nevojë për tu ngjare duke shmangur çdo konfrontim mazokist.
Ne bëhemi kështu, ashtu siç na takon, Parlamenti i parë pas atij të Kosovës që konstatojmë nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë.
Unë dua të përgëzoj propozuesit e Rezolutës dhe Komisionin për Politikë e Jashtme, që u ngritën mbi interesin e politikës së ditës dhe bënë të mundur që ne sot të unifikojmë qëndrimin tonë plotësisht me atë të Kosovës.
Ne shpresojmë në këtë mënyrë të ndërpresim qëndrimet e kritikueshme të Kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë bashkë i kërkojmë atij të heq dorë nga pozicionet personale dhe emocionale në raport me Kosovën. Ai duhet të ndjekë rrugën e Parlamentit, për të unifikuar menjëherë qëndrimin e tij me qëndrimin e Qeverisë së Kosovës.
Çdo qëndrim i ndryshëm është i dëmshëm, është qëndrim personal i tij , dhe pas miratimit të kësaj Rezolute nga ana jonë, çdo devijim prej saj nuk përfaqëson më qëndrimin e institucioneve të Republikës së Shqipërisë.
Kryeministri i Shqipërisë për asnjë motiv nuk mundet dhe nuk duhet të jetë në konflikt permanent me Kryeministrin e Kosovës, nuk mund ti bëjë luftë atij kaçube në kaçube e zyre me zyre sigurisht edhe zoti Kurti duhet ta mbaje vetëvendosjen brenda politikes se Kosovës.
Dy kryeministrat duhet të kenë fatin dhe “dënimin” të jenë koinfidencial e strategjik me njeri tjetrin, komunikimi mes tyre nuk duhet te jete ne rrjete sociale, plot kunja e gare batutash. Liderit shqiptare nuk duhet te sillen gjithmonë siç i dëshiron armiku.
Një e tille dobësi shndërrohet ne peshqesh për Serbinë.
Ne flasim shpesh për bashkëpunimin me Kosovën po çfarë na pengon ta kemi atë kudo ne arsim kulture, ekonomi, infrastrukture e te tjera?
Ne disa aspekte e kemi me poshtë se në vitin 1982.
Por një gjë mund ta pohojmë qytetaret e zakonshëm të të dy vendeve te ndihmuar nga arteria me integruese që është rruga e kombit i kane tejkaluar institucionet dhe politiken. Ata i kanë tejkaluar humoriet tona.
Kjo jep shprese qe njerëzit vete te rithemelojnë politiken dhe institucionet në përkim te sintonisë kombëtare. “Kur ka ra kushtrimi në Kosove”, e propozuar nga Presidenti Rugova si Himn i Kosovës na kujton
“Ç’na u mbush kjo tokë me dëshmorë,
Të na rrnoje e jona Kosovë, të na rrnojë o përgjithmonë”. I përjetshëm kujtimi i dëshmorit Agim Bunjaku.
()