VIDEO/ Pasi vodhi në dyqanin e telefonave “skifteri” tenton sërish por shitësja nuk trembet. Si i dështoi plani
Një person i cili ditën e djeshme (10 tetor) grabiti një dyqan të një kompanie celularësh, sot ka tentuar sërish për të bërë të njëjtën gjë, por mesa duket plani i ka dështuar.
Ky është momenti kur hajduti i dyqaneve nxirret jashtë nga një punonjëse, e cila nuk pranon që t’i japë paratë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme (11 tetor) në një dyqan të një kompanie celulare në zonën e Kombinatit në kryeqytet.
Siç shihet në video, personi ka përdorur të njëjtën veshje, kapele të zezë dhe një bluzë të kuqe.
Ai futet si klient, por më pas nxjerr armën.
“Ju bëftë mirë”, u thotë dy punonjëseve të cilat po konsumonin ushqim.
Ai nxjerr nga çanta një pistoletë, që nuk dihet nëse është reale ose false, dhe u thotë punonjëseve se i duhen paratë për transplantin e mëlçisë.
Por njëra prej tyre duket se nuk e beson që arma të jetë e vërtetë dhe i kërkon të dalë nga dyqani.
“Mos më provoko”, i thotë autori. Por punonjësja nuk heziton dhe e nxjerr nga dyqani.
Autori largohet pa marrë asnjë shumë monetare.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 11.10.2023, rreth orës 21:00, në rrugën “Konferenca e Pezës”, një shtetas ende i paidentifikuar, veshur me bluze të kuqe dhe me kapele, dyshohet se nën kërcënimin e një sendi në dukje pistoletë çakmak, ka tentuar të vjedhë në një dyqan dhe më pas është larguar.
Ky shtetas dyshohet se është i njëjti autor i ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Myslym Shyri”.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.