Prokurorët rikthejnë në KLP Vatë Stakën dhe Moisi Dudën
Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve zgjodhi të premten më 13 shtator tre anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP nga radhët e magjistratëve. Për pozicionin e anëtarit të Apelit garuan prokurorët Afërdita Ndoi dhe Moisi Duda. Ky i fundit ka ushtruar dhe më parë funksionin e anëtarit të KLP-së, kur u zgjodh në shkurt të vitit 2021 për të përfunduar mandatin e një anëtari të shkarkuar nga vetingu. Duda arriti të rikthehet sërish në KLP, duke siguruar 112 vota nga 234 prokurorët e pranishëm në votim. Prokurorja Ndoi u votua nga 106 kolegë, ndërsa 16 vota dolën të pavlefshme.
Për dy vendet e tjera garuan prokuroret e Tiranës, Edina Kurti dhe Elsa Miha, prokurorët e Elbasanit Edlira Bako dhe Olger Eminaj, si dhe prokurori i Shkodrës, Vatë Staka. Ashtu si Duda, edhe prokurori Vatë Staka u zgjodh në prill të vitit 2019 si anëtar i KLP-së për të zëvendësuar një anëtar të shkarkuar nga procesi rivlerësimit.
Prej pesë kandidatëve për dy vendet e shkallës së parë, më të votuarit ishin Olger Eminaj me 103 vota dhe i dyti Vatë Staka i cili siguroi 98 vota, të cilët dhe u shpallën fitues. Prokurorja Edina Kurti siguroi 95 vota, Elsa Miha 76 vota dhe Edlira Bako 35 vota.
Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësië” përcakton në pikën 4 të nenit 3 se “Përveç rasteve kur vërtetohen kushtet për ndërprerjen e parakohshme të mandatit, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor qëndron në detyrë për 5 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme”. Prokurorët Vatë Staka dhe Moisi Duda nuk e kanë kryer mandatin të plotë pasi u zgjodhën për të ploësuar vakancat e krijuara nga procesi rivlerësimit kalimtar dhe për rrjedhojë patën mundësinë të garojnë sërish dhe të rizgjidhen.