Thu, Feb 20, 2025

Adoleshentët dhe të rinjtë, të shqetësuar nga pasojat e ndryshimeve klimatike

  • PublishedOctober 14, 2023

Në një studim të kryer nga me 315 fëmijë, adoleshentë dhe të rinj të moshave 8-24 vjeç nga gjashtë zona të Shqipërisë ku operon kjo organizatë, u evidentuan perceptimet e grupeve të intervistuara mbi fenomenin e ndryshimeve klimatike dhe njohuritë mbi shkaqet dhe pasojat e mundshme në jetën e përditshme e deri tek fatkeqësitë natyrore.

Gjetjet e studimit tregojnë se fëmijët kanë më pak njohuri dhe janë më pak të ndërgjegjësuar mbi pasojat e ndryshimeve klimatike, ndërsa adoleshentët dhe të rinjtë shprehen të alarmuar.

“34% e fëmijëve shprehen të shqetësuar për , teksa 50% e adoleshentëve dhe 52% e të rinjve shprehen të alarmuar mbi pasojat që ndryshimet klimatike mund të kenë në jetën e tyre të përditshme,” thuhet në studim.

Shqipëria është një nga vendet e rajonit të Ballkanit që rrezikon të preket më shumë nga ndryshimet klimatike dhe që pesëmbëdhjetë vitet e fundit ka patur një rritje të temperaturave mesatare vjetore me 1°C, si edhe shtim të zjarreve, përmbytjeve dhe stuhive.

Të gjitha grupet, si fëmijët, adoleshentët ashtu edhe të rinjtë i pranojnë pasojat shkatërrimtare në sferën sociale dhe mjedisore të ndryshimeve klimatike, duke identifikuar si pasoja kryesore sëmundjet, kequshqyerjen, shëndetin mendor dhe prishjen e tokës.

“Temperaturat e larta, valët e të nxehtit ekstrem dhe rritja e temperaturave të natës ndikojnë në shëndetin e grupeve vulnerabël”, citon raporti mbi pasojat në shëndet.

Me rritjen e moshës ndryshon edhe kompleksiteti i perceptimit të fëmijëve e adoleshentëve mbi katalizatorët e ndryshimeve klimatike.

Pjesa më e madhe e fëmijëve identifikojnë incenerimin e mbetjeve dhe nxehtësinë (82.6%) si shkaqet kryesore që çojnë në ndryshimet klimatike, ndërsa adoleshentët (91.6%) dhe të rinjtë (92.2%) shohin sektorin industrial si kontribuesin kryesor në këtë fenomen.

“Njerëzit po e lëndojnë natyrën duke mos ditur se ku i hedhin plehrat”, u shpreh një prej 11-vjeçarëve të intervistuar gjatë kryerjes së studimit.

Edhe pse në vitin 2020 Shqipëria nxori një ligj mbi ndryshimet klimatike ku një ndër objektivat ishte reduktimi i gazrave serrë, nivelet e ndotjes mbeten akoma shqetësuese.

Të treja grupet – fëmijë, adoleshentë, e të rinj – pranojnë rëndësinë e hapave që mund të ndihmojnë në uljen e impaktit mbi ndryshimet klimatike, të tilla si riciklimi, konsumi i moderuar i ujit, reduktimi i përdorimit të plastikës, ecja/çiklizmi, etj.

Studimi i World Vision gjithashtu thekson se pasojat e ndryshimeve klimatike nuk mbeten vetëm në sferën ekologjike, por ato prekin edhe dimensionin psikologjik. Nga gjetjet duket se adoleshentët dhe të rinjtë mendojnë se organizatat jo-fitimprurëse janë thelbësore në adresimin e ndryshimeve klimatike, duke i parë ato si ura lidhëse me politikat që duhet të ndërmarrë qeveria në lidhje me parandalimin e pasojave shkatërruese që sjellin këto ndryshime.