Ish-zyrtarja Alda Klosi dërgohet në gjyq për fshehje pasurie
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të hënën më 16 tetor përfundimin e hetimeve për Alda Klosin, ish- shefe e kabinetit të ish-ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, e akuzuar për fshehje pasurie. Sipas prokurorisë, Klosi është dërguar për gjykim për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Ndërkohë ajo po hetohet veçmas në drejtim të ligjshmërisë së burimeve të krijimit të pasurive që ajo dhe familjarët e saj zotërojnë. “Duke qenë subjekt i ligjit Nr.10192 datë 03.12.2009 ‘Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, të trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave kundër pasurisë’, po vazhdon verifikimi dhe hetimi mbi pasuritë e kësaj shtetaseje dhe familjarëve të saj, si dhe do të sekuestrohen pasuritë e pajustifikuara me burime të ligjshme të subjekteve të përfshira në ketë hetim”, citohet në njoftim.
Arrestimi i ish-zyrtares së lartë erdhi pas hetimit të kallëzimit të saj të kryer në polici për vjedhjen e qindra mijëra eurove në banesë. Pas njoftimit të vjedhjes së banesës së Klosit në rrugën e Kosovarëve në Tiranë në dhjetorin e kaluar policia arrestoi Rozeta Dobin dhe Havier Dobin, nënë e bir, nën akuzën e vjedhjes pasi në shtëpinë e tyre u gjet një shumë e konsiderueshme parash ndërsa Havierit iu sekuestruan disa makina.
Klosi deklaroi në polici më vonë se në banesë kishte pasur 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë krahas bizhuterive, në çastin e vjedhjes.
Ndërkohë, policia mbajti nën përgjim në komisariat Rozeta Dobin, e cila punote si pastruese dhe Havierin ndërsa këta diskutuan për një shumë tjetër parash të fshehur në tubin e ventilatorit të kuzhinës. Policia nuk kishte gjetur këtë shumë në kontrollin e parë por kur rivizitoi banesën, gjeti 404 mijë euro dhe 8500 dollarë. Në total policia gjeti 462,950 euro; 15,500 dollarë amerikanë dhe 368 mijë lekë në shtëpinë e Klosit.
Së bashku me Klosin, për gjykim janë dërguar edhe Rozeta dhe Havier Dobit, për veprën penale “vjedhja” me pasoja të rënda, në bashkëpunim.