Punësim në rajon? Së paku në letër…
Infermierët, mamitë, farmacistët dhe kirurgët veterinarë, të cilët punojnë në Kosovë, do të kenë mundësi të punojnë edhe në pesë shtete të Ballkanit Perëndimor – Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi – me kushtet e njëjta që kanë kolegët e tyre atje.
Kjo, së paku, u mundësohet në bazë të Marrëveshjes për njohje të ndërsjellë të kualifikimeve profesionale dhe qarkullim të lirë në shtetet e rajonit, e cila u nënshkrua më 16 tetor, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, në Tiranë.
Marrëveshja u tha se ka synim inkurajimin e lëvizshmërisë së profesionistëve, për t’i përmbushur nevojat e tregut të punës dhe për ta rritur produktivitetin.
E nënshkruar nga përfaqësues të të gjashtë shteteve, marrëveshja nuk ka ndonjë periudhë të caktuar kohore.
Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendësministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, konfirmon për REL-in se ajo “do t’u mundësojë qytetarëve të rajonit ta ushtrojnë profesionin e tyre të njohur në vendin amë në secilin nga vendet e rajonit me kushte të barabarta”.
Si do të bëhet kjo?
Në negocimin e marrëveshjes ka marrë pjesë edhe Oda e Mjekëve të Kosovës.
Procedura burokratike – nëse zbatohet kjo marrëveshje – nuk do të ketë”.
Kryetari i saj, Pleurat Sejdiu, thotë se personat që aftësohen në mjekësi, për shembull, në Kosovë, do të mund ta ushtrojnë profesionin e tyre në cilindo nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kushtet e barabarta, sipas tij, vlejnë edhe sa i përket kryerjes së procedurave deri te punësimi, edhe trajtimit në institucionin punëdhënës.
“Procedura burokratike – nëse zbatohet kjo marrëveshje – nuk do të ketë. Me muaj të tërë ka marrë kohë vetëm nostrifikimi i diplomës… kjo ka qenë procedura më e vështirë. Por, po ashtu, do të shuhet edhe kërkesa për licencim”, thotë Sejdiu për Radion Evropa e Lirë.
Aktualisht, shtetasit e huaj që dëshirojnë të punësohen në Republikën e Kosovës – njësoj si kosovarët që kërkojnë punë në ndonjë vend të rajonit – janë të obliguar ta bëjnë nostrifikimin e diplomave, që nënkupton njohjen e validitetit të tyre.
Në Kosovë, aplikimi për këtë procedurë bëhet në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe ajo mund të zgjasë deri në katër muaj.
Pas nostrifikimit të diplomës, i interesuari duhet të bëjë kërkesë – në këtë rast në Ministrinë e Shëndetësisë – për licencimin e profesionit që ka.
Procedura e licencimit përcillet me një varg dokumentesh – nga certifikata e lindjes deri te leja e qëndrimit.
Nëse përgjigjja është pozitive, licenca lëshohet për pesë vjet.
Sejdiu thotë se kushte të ngjashme aplikohen në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, por se me marrëveshjen e re, ato do të plotësohen me automatizëm.
Në atë rast, profesionisti do të duhet vetëm të dëshmojë se ka qenë i angazhuar për së paku tre vjet radhazi në një institucion dhe se nuk e ka të ndaluar ta ushtrojë profesionin për shkak të ndonjë abuzimi profesional ose ndonjë vepre penale.
Nexhmije Gori, kryetare e Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetësorë të Kosovës, thotë se kjo odë e mirëpret marrëveshjen e re, pasi procedurat aktuale, siç thotë, janë kufizuese dhe marrin shumë kohë.
“Procedura e deritashme e nostrifikimit të diplomës është pengesë e madhe për lëvizshmërinë e profesionistëve shëndetësorë. Edhe licencimi i tyre ka, po ashtu, procedura burokratike”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Kur do të nisë së zbatuari?
Që të nisë së zbatuari, marrëveshja në fjalë duhet të ratifikohet fillimisht nga shtetet përkatëse.
Palët, pastaj, duhet të përgatisin ligje, rregullore dhe udhëzime administrative për të qenë në përputhje me marrëveshjen jo më vonë se 18 muaj pas hyrjes në fuqi të saj.
Sfidat e zbatimit me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën
Marrëveshja krijon lehtësira në tregun e punës dhe kjo është praktikë e mirë, thotë njohësi i integrimeve evropiane në Kosovë, Shenoll Muharremi. Por, sipas tij, rrugës mund të paraqiten edhe sfida në zbatim.
Serbia dhe Bosnje e Hercegovina – dy vende që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës – mund të hezitojnë të pranojnë profesionistë nga Kosova, sipas tij.
“Ballkanasit nuk janë ata që i respektojnë strikt marrëveshjet – në rast se nuk dëshirojnë, ata nuk i zbatojnë. Sidomos shteti i Serbisë. E kemi parë që në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, janë arritur dhjetëra marrëveshje dhe nuk janë zbatuar”, thotë Muharremi për Radion Evropa e Lirë.
Qytetarët e Kosovës mund të hyjnë me letërnjoftime në Serbi, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina u kërkon vizë, pasi nuk e ka ratifikuar ende marrëveshjen për lëvizje të lirë.
Pavarësisht këtyre rrethanave, Muharremi dyshon se interesimi i profesionistëve për të kërkuar punë nga Kosova në shtetet e rajonit dhe anasjelltas do të jetë i madh, për shkak të, siç thotë, situatës përafërsisht të njëjtë ekonomike. “Nuk është sikurse tregu evropian me një ekonomi më të zhvilluar, funksionale dhe dinamike”, përfundon ai.