Kishte përshtatur lokalin për baste sportive, pranga për pronarin, e pësojnë edhe 4 klientët
Policia e Kurbinit ka vënë në pranga një 18-vjeçar me inicialet, B. H. pasi kishte përshtatur një lokal për vënien e basteve sportive.
Nga ky operacion u proceduan edhe 4 persona të cilët u kapën duke vënë baste.
Policia ka sekuestruar 11 300 lekë, celularë dhe letra bixhozi, që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Katër të proceduarit janë 20-vjeçari me inicialet F. H., 29-vjeçari me inicialet M. K., 30-vjeçari me inicialet D. Sh. dhe 31-vjeçari me inicialet V. M.
Të pestë u kapën në flagrancë, në lokalin në pronësi të 18-vjeçarit në Fushë Milot, teksa vinin baste sportive me celularë dhe luanin lojëra fati me letra.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.