Fri, Nov 15, 2024

SHBA-ja sanksionon individë dhe entitete të lidhura me Dodikun

  • PublishedOctober 20, 2023

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të premten sanksione ndaj individëve dhe entiteteve të lidhura me nacionalistin serb të Bosnje-Hercegovinës, Millorad Dodik, ka njoftuar Departamenti amerikan i Thesarit.

Gorica dhe Igor Dodik, të shtuar në listë, janë fëmijët e Dodikut.

Në listën e sanksioneve të Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja janë shtuar edhe bizneset si “Agape”, i lidhur me Gorica dhe Ivan Dodikun, kompania “Agro Voce”, e cila është e lidhur me Goricën, kompania “Fruit Eco”, e lidhur me Igorin dhe kompania “Global Liberty”, e lidhur me dy fëmijët e Dodikut.

“Pjesëtarët e këtij rrjeti, përfshirë fëmijët e Dodikut, kanë lehtësuar procesin e korrupsionit të Dodikut në Republikën Sërpska të Bosnje-Hercegovinës, duke ia mundësuar atij qasjen në fondet publike të Republikës Sërpska, dhe për ta pasuruar atë dhe familjen e tij në kurriz të qytetarëve të Bosnjës dhe autoriteteve funksionale të shtetit”, është thënë në deklaratën e Thesarit amerikan.

Vetë Dodik, i njohur edhe si lider pro-rus, është sanksionuar nga SHBA-ja më 5 janar të vitit 2022.

SHBA-ja e ka akuzuar atë se drejtëpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë ka shkelur, penguar apo kërcënuar që Marrëveshja e Dejtonit të mos zbatohej, por edhe nën akuza se është përfshirë në aktivitete korruptive.

Edhe në korrik të vitit 2017, Thesari amerikan e ka akuzuar Dodikun se po pengonte zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila u ka dhënë fund luftimeve në Bosnje, më 1995.

Millorad Dodik është sanksionuar edhe nga Britania e Madhe./REL

Artikulli i plotë këtu.

AlbaniaWeb.net