Opozita serbe: Duam sqarim për rolin e Serbisë në sulmin e Banjskës
Gjatë seancës së parë të sesionit vjeshtor, një pjesë e deputetëve opozitarë në Kuvendin e Serbisë më 23 tetor ngritën çështjen e rolit të udhëheqjes serbe në sulmin në Banjskë në veri të Kosovës.
Më 24 shtator, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por kjo e fundit ka mohuar çdo përfshirje.
Përgjegjësinë për sulmin në Banjska e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
“Prandaj le të pyesim tani [drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion-BIA, Aleksandër] Vulinin, [presidentin e Serbisë, Aleksandër] Vuçiçin, dhe [ministrin serb të Punëve të Brendshme, Bratisllav] Gashiçin, si është e mundur që nuk e dinit se çfarë po bënte Radoiçiçi në Banjskë me persona të armatosur me mitraloz, pushkë që asnjë qyteti të Serbisë nuk i lejohet t’i mbajë privatisht,” tha Nebojsha Zellenoviç, bashkëkryetar i partisë opozitare Së bashku, teksa iu drejtua deputetëve në seancë plenare.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millenko Jovanov, u kundërpërgjigj duke thënë se Zellenoviç për gjithçka fajëson serbët, pa e shikuar përgjegjësinë e palës tjetër.
“Ai thotë se është e tmerrshme që Aleksandar Vuçiç nuk dinte asgjë, por për të nuk është e tmerrshme që vdiqën tre serbë. Ai këtë nuk e tha kurrë,” tha Jovanov.
Një pjesë e opozitës në Serbi ka kërkuar më 3 tetor një seancë urgjente të Kuvendit, në të cilën, përmes formimit të Komisionit Hetimor, do të përcaktohej përgjegjësia e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, si dhe roli i Millan Radoiçiç, për ngjarjet në Banjksë. Por, një propozim i tillë nuk është pranuar./REL
Artikulli i plotë këtu.