Osmani në New York, përfaqëson Kosovën në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar drejt New York-ut ku do ta përfaqësojë vendin në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Për mes një njoftimi nga Presidenca është bërë e ditur se Osmani do të flasë në lidhje me zhvillimet në Kosovë pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator.
Ndër të tjera, Osmani do të flasë edhe për përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës.
Para takimit të Këshillit të Sigurimit, Osmani pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e shteteve aleate.
Takimi i KS të OKB-së për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 21:00 me kohë të Kosovës ndërkaq në orën 15:00 me kohë të New York.