Fri, Nov 15, 2024

SHBA këshillon Izraelin të shtyjë ofensivën tokësore në Gazë

  • PublishedOctober 23, 2023

Shtetet e Bashkuara kanë këshilluar zyrtarët izraelitë që një vonesë në ofensivën e mundshme tokësore në Gazë, do t’i mundësonte më shumë kohë Uashingtonit që të punojë me partnerët rajonalë për lirimin e më shumë pengjeve.

Kështu tha një zyrtar amerikan që është në dijeni me qëndrimin e administratës së presidentit Joe Biden, për këtë çështje.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se është e paqartë se cili është qëndrimi i Izraelit për këtë kërkesë.

Zyrtari amerikan theksoi se me ndihmën e Katarit si ndërmjetësues me militantët e Hamasit, u bë i mundur lirimi i dy pengjeve, Judith dhe Natalie Raanan.

Procesi për lirimin e tyre, sipas zyrtarit, nisi pak pasi Hamasi kreu sulmet vdekjeprurëse ndaj Izraelit më 7 tetor.

Zyrtarët izraelitë kanë thënë se Hamasi ka marrë mbi 222 persona pengje dhe i ka dërguar në Gazë.

Izraeli i është kundërpërgjigjur ashpër sulmeve të befasishme të Hamasit, duke bombarduar Rripin e Gazës, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë.

Izraeli po ashtu është zotuar se do të kryejë një sulm tokësor, por nuk ka treguar se kur do të ndodhë.

AlbaniaWeb.net