Thu, Nov 28, 2024

Biden dënon sulmet e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor

  • PublishedOctober 25, 2023

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka dënuar sulmet hakmarrëse nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun e pushtuar Perëndimor, pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor.

Ai tha se po dyfishon përkushtimin e tij në punën për zgjidhjen me dy shtete për t’i dhënë fund konfliktit shumëvjeçar midis Izraelit dhe palestinezëve.

Biden tha se sulmet “nga kolonët ekstremistë” po i hedhin më shumë benzinë zjarrit në Lindjen e Mesme, ku situata është tensionuar që nga sulmet e Hamasit.

“Kjo duhet të ndalet. Ata duhet të mbahen përgjegjës,” tha Biden, gjatë konferencës për media së bashku me kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese, i cili po viziton Uashingtonin.

Dhuna e kolonëve kundër palestinezëve është intensifikuar që nga sulmet e Hamasit dhe kolonët kanë vrarë palestinezë, kanë thënë autoritetet palestineze.

Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se kolonët kanë djegur vetura dhe kanë sulmuar disa komunitete të vogla beduinësh, duke i detyruar ata të evakuohen në vende të tjera.

Konsorciumi për Mbrojtjen e Bregut Perëndimor koalicion i organizatave joqeveritare dhe shteteve donatore, përfshirë edhe Bashkimin Evropian tha se qindra palestinezë janë zhvendosur me forcë në Bregun Perëndimor për shkak të dhunës së kolonëve që nga 7 tetori.

Dhuna vdekjeprurëse ka mbërthyer Bregun Perëndimor, përderisa ushtria izraelite po ndjekë militantët palestinezë pas sulmit të Hamasit nga Gaza.

Dhuna po kërcënon që të hapet edhe një front i ri në luftën tashmë dyjavore mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë./REL

AlbaniaWeb.net