Sat, Nov 30, 2024

Pronari i televizionit kërcënon me jetë gazetaren Afrovita Hysaj

  • PublishedOctober 25, 2023

Gazetarja e , u përball të martën 24 tetor me kërcënime dhe sulm publik denigrues nga administratori dhe pronari i televizionit 6+1 Vlora , pas raportimeve mbi përdhunimin në grup të një 26-vjeçareje të premten e javës që shkoi. Një artikull denigrues u publikua në faqen online të televizionit lokal dhe në rrjetet sociale të tij, ndërsa gazetarja raportoi në polici se ishte kërcënuar me jetë.  “Bashkë jemi në gjak”, është një ndër mesazhet kërcënuese që gazetarja tha se ka marrë.

Pas kallëzimit të Hysajt, policia e Vlorës njoftoi mbrëmjen e të martës se kishte nisur procedimin penal në gjendje të lirë për Albert Deliaj me akuzën e “kanosjes”.  “Shtetasja A. H., 34 vjeçe, banuese në Vlorë, me profesion gazetare, ka kallëzuar se është kanosur me fjalë nëpërmjet telefonit, nga ky shtetas, për shkak të një lajmi që ajo ka publikuar, lidhur me rastin e 26-vjeçares nga qyteti i Vlorës, e cila dyshohet se është nxitur të përdorte lëndë narkotike nga disa shtetas, 3 prej të cilëve më pas dyshohen se kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të”, njoftoi policia.

Sulmi ndaj Hysajt soli menjëherë reagime të ashpra nga kolegë dhe organizata të medias.  Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi të martën duke e cilësuar sulmin ndaj gazetares si një rast të rëndë. “Ky raport, përmes gjuhës dhe fjalorit që përmban, cënon rëndë kodet e etikës së gazetarisë, linçon publikisht një punonjëse të medias, përdhos komunikimin publik dhe detyrimin ndaj tij dhe shënon një precedent të rrallë në sulmin e një medieje ndaj një  gazetareje vendore”, thuhet në reagimin e UGSH, që i kërkoi administratorit të televizionit të kërkonte ndjesë publike.

Postimi, që është fshirë nga faqja e televizionit në një moment të dytë, u dënua menjëherë nga dhjetra kolegë të gazetares, që e panë atë si një përpjekje për të shantazhuar dhe censuruar raportimin e një ngjarje të rëndë.

Gazetarja Hysaj tha se kërcënuesi pretendonte pa të drejtë se ajo kishte lidhur emrin e djalit të tij me ngjarjen e rëndë të drogimit dhe përdhunimit të 26-vjeçares. Hysaj tha se nuk tërhiqet pas sulmeve denigruese dhe kërcënimeve. Ajo tha se sulmi vinte pas përpjekjeve për të fshehur ngjarjen nga publiku.

Ngjarja e rëndë ndodhi të premten në mbrëmje, ndërsa 26 vjeçarja e përdhunuar u braktis pa ndjeja në trotuarin para hotelit ku ndodhi abuzimi seksual. Të mërkurën Gjykata e Vlorës caktoi masë sigurimi arrest me burg për dhe Oltjon Tahirin, të akuzuar për mbajtjen me forcë, drogimin dhe përdhunimin e 26 vjeçares. Masë sigurimi arrest me burg u dha edhe për Gentjano Mehmetin, i cili vazhdon të jetë në arrati dhe po ashtu edhe për personin e katërt të përfshirë në krim me inicialet  V.K. Gjatë seancës gjyqësore në gjykatë kanë qënë dhe përfaqesues të qendrës Vatra, një OJQ në mbrojtje të grave viktima të dhunës, të cilat kanë protestuar duke veshur bluza me mbishkrimin “Ndal dhunës ndaj grave” dhe kërkuar ndëshkim të autorëve.

Veç Hysaj edhe korrespondenti i një televizioni kombëtar i tha BIRN se kishte marrë mesazhe kërcënuese, pas raportimit të ngjarjes. Korrespondenti që kërkoi të ishte anonim, tha se kërcënuesit ishin të afërm të personave të akuzuar për përdhunimin, por se ai nuk e referoi ngjarjen në polici.

Sulmet ndaj gazetarëve në Shqipëri janë të shpeshta dhe në shumicën e rasteve autoritetet janë mjaftuar me deklarata solidariteti, por numri i atyre që ndëshkohen është i papërfillshëm. Edhe në këtë rast pavarësisht kërcënimit dhe sulmit publik, policia vendosi vetëm ndjekje në gjendje të lirë për të akuzuarin.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla nuk iu përgjigj pyetje së BIRN mbi faktin se pse kërcënuesi me jetë i një gazetareje po ndiqej vetëm në gjendje të lirë, pa masë shtrënguese.

Ndërkohë kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, i tha BIRN se autoriteti që drejton nuk mund të vepronte në këtë rast. “I kemi duart e lidhura”, tha Krasniqi duke referuar se materiali denigrues nuk ishte publikuar në televizion, por në faqen online.