Thu, Nov 28, 2024

SHBA-ja ndan me Izraelin mësimet nga lufta në Irak dhe Siri

  • PublishedOctober 25, 2023

Mundësia që Ushtria e Izraelit ta nisë ofensivën tokësore nëpër lagjet e dendura urbane të Rripit të Gazës, ku militantët i përdorin civilët si mburoja njerëzore, sjell në mendje kujtime përvëluese të betejave vdekjeprurëse të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që luftoi kundër grupit ekstremist Shteti Islamik, në Irak dhe Siri.

Për Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin dhe liderët e tij ushtarakë, ato luftime të ashpra dhe mijëra civilët e vrarë nga sulmet ajrore dhe dyluftimet nëpër lagjet e Mosulit dhe Rakës, janë mësime që duhet të ndahen në një kohë kur Izraeli po përgatitet për një pushtim tokësor kundër Hamasit.

“Në bisedat tona me izraelitët, dhe siç e kemi bërë të shumë të qartë, ne po vazhdojmë ta theksojmë rëndësinë e uljes së numrit të viktimave civile dhe të garantimit… se gjërat si korridoret e sigurta duhet të mendohen mirë,” tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, të martën.

SHBA-ja mund ta përshkruajë qartazi dhe hollësisht dëmin që u është shkaktuar civilëve. Gjatë rrethimit tetëmuajsh për ta çliruar Mosulin nga militantët islamistë, u vranë 10.000 njerëz, përfshirë së paku 3.200 civilë nga sulmet ajrore, zjarri i artilerisë apo predhave mes tetorit 2016 dhe rënies së Shtetit Islamik në korrik 2017, sipas një hetimi të Associated Press.

Një numër pothuajse i njëjtë i civilëve u vranë apo u morën peng nga militantët dhe u përdorën si mburoja njerëzore për të ikur nga qyteti.

Austin, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane, gjenerali Charles CQ Brown, shefi i Komandës Qendrore të SHBA-së, gjenerali Eric Kurilla, si dhe komandantët e tjerë të lartë të Ushtrisë Amerikane, kaluan kohë në rajon asokohe dhe e panë dhunën duke ndodhur./REL

Artikulli i plotë këtu.

AlbaniaWeb.net