Sun, Nov 24, 2024

KPA njihet me konkluzionet përfundimtare në çështjen e gjyqtarit Arbër Çela

  • PublishedOctober 26, 2023

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të enjten më 26 tetor me konkluzionet përfundimtare në çështjen e gjyqtarit të Shkodrës , për të cilin Komisionerja Publike, i qëndroi kërkimit për shkarkimin për deklarim të pamjaftueshëm dhe mungesë të burimeve, që u kundërshtua si i pabazuar nga subjekti që pretendoi se provat i përmbysin shkaqet e ankimit.

Në fillim të seancës, Kolegji vendosi të administrojë në cilësinë e provës aktet e dorëzuara nga subjekti për të vërtetuar pretendimet e tij lidhur me transaksionet dhe burimet e një apartamenti, si dhe mbylli shqyrtimin gjyqësor.

Në vijim, Nino paraqiti konkluzionet, duke nënvizuar se pas vlerësimit të akteve dhe provave të paraqitura nga Çela pas riçeljes së hetimit gjyqësor qëndrimi mbetej i njëjtë.

Lidhur me një apartament me sipërfaqe 91.91 m2 në Tiranë, të blerë nga Çela në bashkëpronësi me një kushërirën e tij, Komisionerja Nino vërejti se mbetet e provuar se investimi i subjektit të rivlerësimit në këtë pasuri është në shumën 57 mjë e 250 euro ose 78% e vlerës së investimit dhe jo 50% sa pretendon ai.

Sipas Ninos, kjo provohet me mandatin e depozitimit të kësaj shume në cash nga ana e gjyqtarit Çela në llogari të kompanisë. Ajo theksoi se Çela nuk arriti të provojë të kundërtën e këtij shkaku ankimi, pasi dhe një shkresë e bankës ku konfirmohet se nuk është e përcaktuar në procedurë nënshkrimi i mandatpagesës nga të gjithë pjesëmarrësit e palës së përshkruar në kontratë, si dhe të faktit se depozitimi fondeve mund të kryhet edhe nga njëra palë porositëse, nuk e përjashtojnë subjektin nga detyrimi që ka pasur për të paguar pjesën e tij takuese sipas kontributit real financiar.

Komisionerja shtoi se Çela në kohët e transaksionit ishte subjekt deklarues dhe duhej të kishte treguar kujdesin minimal si magjistrat për të detajuar në përshkrimin e transaksionit të kryer kontributin e tij.

I pandryshuar ka mbetur qëndrimi i Ninos edhe për pamjaftueshmërinë e burimeve të ligjshme financiare të bashkëpronares në këtë investim. Sipas saj, aktet e paraqitura nga subjekti mbi pagesën e detyrimeve tatimore për bashkëpronaren në shtetin turk, nuk provojnë ligjshmërinë e të ardhurave të pretenduara, sipas kërkesave të legjislacionit të vetingut.

Po ashtu, Nino vërejti se subjekti nuk paraqiti prova lidhur me investimin e bashkëpronares së apartamentit me padi në gjykatë, për mospagimin e kontributeve shoqërore e shëndetësore nga punëdhënësi i saj sipas pagës reale që pretendohet se ajo ka përfituar.

Për Komisioneren, nuk u provua as mundësia financiare e një huadhënëseje për krijimin e një shume 8000 euro që subjekti pretendon se e ka marrë ish-bashkëpronarja për pagesën e pjesës së saj të apartamentit.

Lidhur me një tjetër hua në shumën 10 mijë euro të pretenduar se është marrë po nga kushërira, Nino vëren se kjo marrëdhënie huaje nuk është deklaruar dhe nuk provohet me akte të kohës.

Sipas Komisioneres, Çela nuk ka aaritur të provojë as mundësinë e një huadhënësi për t’i dhënë subjektit një shumë prej 30 mijë eurosh për pagesën e apartamentit, që pretendon se e ka kthyer pas pak muajve, sapo është disbursuar kredia. Nino solli në vëmendje se kjo hua nuk është deklaruar nga subjekti.

Në përfundim të këtij shkaku ankimi, Komisionerja Publike vlerëson se gjyqtari Arbër Çela ka kryer  deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm, si dhe se ka mungesë burimi të ligjshëm për krijimin e kësaj pasurie.

Për disa nga shkaqet në aspektin profesional, Nino tha se qëndrojnë dhe lidhen me aftësinë e përgjithshme për të intepretuar ligjin.

Përfaqësuesi ligjor i gjyqtarit Çela, avokati Julian Mërtiri këmbënguli se ishte provuar se investimi i subjektit në apartament është në masën 50%, ashtu si dhe përcaktohet në kontratë. Ai nënvizoi se subjekti ka deklaruar me saktësi edhe burimet e kësaj pasurie.

Lidhur me pagesën e një vlere më të madhe se gjysma e çmimit të banesës, Mërtiri evidentoi se depozitimi ishte kryer në cash, kur kishin qenë të pranishëm të dy bashkëpronarët dhe se nuk ishte realizuar me transaksion bankar nga ndonjë llogari e subjektit.

Ai e cilësoi të paprovuar pretendimin e Komisioneres Publike se në mandatin e depozitimit ishin deklaruar burimet e subjektit. Sipas tij, aty janë deklaruar edhe burimet e bashkëpronares, që janë kursimet dhe huatë.

Mërtiri theksoi se vërtetimi i bankës konfirmon se pagesa është kryer nga të dy bashkëpronarët.

Ai dhe subjekti sollën si argument faktin se pasi kishin dalë nga noteri, së bashku me kushërirën kishin shkuar tek shtëpia ku ajo jetonte për të marrë vlerën që ajo kishte në banesë dhe prandaj kanë shkuar në një bankë në atë zonë.

Çela deklaroi se do të ishte e logjikshme që me një vlerë të konsiderueshme monetare në xhep të shkonin për të kryer pagesën në një degë të bankës që ishte pranë zyrës noteriale, por sipas tij aryseja pse kishin shkuar larg, kishte qenë se bashkëpronarja kishte marrë pjesën e saj në shtëpi. Ai shtoi se në mandatin e bankës përcaktohet se blerja e pasurisë është bërë nga të dy personat. Sipas tij, detyrimi në këtë rast është solidar.

Subjekti solli në vëmendje edhe faktin se babai kishte blerë nga kushërira gjysmën e apartamentit për shumën 40 mijë euro dhe se ajo nuk kishte dalë e humbur nga ky investim. “Pse do duhej të fshihja pasurinë tek kjo shtetase kur babai kishte mundësitë me shuma të deklaruara në bankë”, pohoi Çela.

Mërtiri kundërshtoi konstatimin e mëparshëm të komisioneres, se bashkëpronësia ishte në rrethana të pazakonta. Ai argumentoi se kushërira e subjektit kishte pasur mundësi financiare për blerjen e gjysmës së apartamentit, aq sa i ka shitur babait të subjektit disa vjet më vonë.

Sipas Mërtirit, në kushtet kur kushërira do ta shiste pjesën e saj takuese, babai i subjektit nuk do ta lejonte ta blinte një person i tretë pasi kishte mundësi ta ndihmonte të birin.

Vërtetimi i Ambasadës Turke i sjellë si provë, në të cilin thuhet se detyrimet për të ardhurat e bashkëpronares janë paguar në shtetin turk, u cilësuan nga subjekti si provë e mjaftueshme. Po ashtu, u pretendua se vërtetohej edhe pagesa reale e kushërirës së gjyqtarit Çela nga punëdhënësi.

Mërtiri tha se ishte e provuar se edhe huadhënëset kishin pasur burime për shumat 8000 euro dhe 10 mijë euro.

Po ashtu u pretendua se edhe personi që i kishte dhënë subjektit huanë prej 30 mijë euro, vërtetohej se kishte pasur burime të ligjshme. Sipas Mërtirit, një vlerë 4.5 milionë lekë e një inventari i ishte kaluar huadhënësit në posedim dhe jo si pronë që të ishte e tatueshme. Ai kërkoi që huaja të përfshihet në momentin e pagesës së çmimit të apartamentit, pasi vërtetohet ekzistenca e saj. Për mosdeklarimin, Mërtiri pranoi pasaktësinë, por theksoi se kjo situatë mund të sillte penalizim.

Lidhur me aspektin profesional, gjyqtari Çela vërejti se kishte paraqitur praktikën e Gjykatës së Lartë. “Nëse jam unë i paaftë, janë dhe ata. Më thoni se ku kam gabuar në këto vendimarrje”, pohoi Çela dhe bëri me dije se kishte kryer disa botime dhe se ndihet i aftë në ushtrimin e detyrës së gjyqtarit.

Në fund ai kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë. KPA njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 3 nëntor, në orën 09:30.

Gjyqtari Arbër Çela u konfirmua në 7 dhjetor 2022 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, e vlerësoi të gabuar këtë vendimarrje duke arsyetuar se nuk janë vlerësuar si duhet problemet e gjetura në kriterin e pasurive, të figurës dhe profesionalizmit.

Bazuar në rekomandimin e ONM, Komisionerja Irena Nino ushtroi ankim në Kolegj. Ajo vlerëson se gjyqtari Çela rezulton me bilanc negativ në investimet e kryera për blerjen e një apartamenti në bashkëpronësi dhe mbulimin e shpenzimeve. Po ashtu, ajo ngriti dyshime për pasuri të fshehur duke i konsideruar disa prej transaksioneve si të pazakonta.