Prokurorja Anila Bebeci konfirmohet në detyrë
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të enjten më 26 tetor vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurores së Durrësit, Anila Bebeci. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Firdes Shulin.
Gjatë seancës dëgjimore më 23 tetor, Bebeci u përball dhe dha shpjegime për barrat e provës në kriterin pasuror lidhur me bilance negative, si dhe për disa gjetje në kriterin profesional.
Ajo pranoi se në tre vite nuk kishte deklaruar kursimet cash, por pretendoi se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme dhe se e kishte korrigjuar këtë pasaktësi. Bebeci mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.
Anila Bebeci e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si prokurore pranë Prokurorisë së Durrësit.