Serbia rrit buxhetin për Kosovën për 11 milionë euro
Më 26 tetor, deputetët e Kuvendit të Serbisë miratuan Ligjin për buxhetin e vitit 2024.
Me këtë ligj, për vitin 2024 Qeveria e Serbisë ka planifikuar të ndajë rreth 11 milionë euro më shumë për Kosovën sesa këtë vit.
Funksionimi i institucioneve dhe organizatave, Zyra e Qeverisë, informimi i serbëve në Kosovë, janë vetëm disa nga pikat, për të cilat do të rritet buxheti në vitin 2024.
Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë (REL), ndarjet buxhetore për Kosovën janë vazhdimisht në rritje, dhe ekspertët paralajmërojnë se këto investime kanë qenë jotransparente me vite të tëra dhe se është pothuajse e pamundur të përcaktohet shpenzimi total për Kosovën.
Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh. Serbia për gjithë ato vite nuk e ka ndalur financimin e institucioneve paralele, të cilat Prishtina nuk i njeh.
Sa janë rritur ndarjet buxhetore për Kosovën?
Serbia, siç shihet edhe në propozim-buxhet, ndan para për punën e institucioneve paralele në Kosovë, përmirësimin e jetës së qytetarëve, informimin, por edhe për mbështje për klerikët dhe murgjit në Kosovë. Po ashtu, mbështet punën e Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut dhe investon në projekte mjedisore.
Dragan Popoviq nga organizata joqeveritare e Beogradit, Qendra për Politikë Praktike, e cila në vitet e kaluara ka analizuar ndarjet buxhetore për Kosovën, thotë për Radion Evropa e Lirë se studiuesit vështirë se mund ta përcaktojnë shumën totale të ndarjeve të mjeteve nga buxheti, sepse ajo është e “fshehur” në buxhet.
“Duhet të shkosh nga institucioni në institucion për të nxjerrë ato të dhëna (për ndarjen), shpesh me ndihmën e Komisionarit për informim për çështje të rëndësisë publike. Disa institucione refuzojnë t’ju japin të dhëna dhe disa kosto janë të fshehura. Ju nuk shihni që është për Kosovën, por e përcaktoni kur hyni në strukturën e kostos”, thotë Popoviq.
Ai thekson se këto shpenzime të fshehura kryesisht kanë të bëjnë me punën e kompanive publike nga Kosova, të cilat janë zhvendosur në Serbi që nga lufta në Kosovë në vitin 1999.
Për shembull, në gusht të vitit të kaluar REL-i ka analizuar punën e katër kompanive nga Kosova në pronësi të Kompanisë Energjetike të Serbisë (Elektroprivreda Srbije), të cilat i financon Serbia, edhe pse, sipas vlerësimit të Këshillit Shtetëror Fiskal të Serbisë, nuk ka kontroll mbi asetet dhe veprimtarinë e këtyre kompanive.
Gjithashtu, REL-i, nëpërmjet një kërkese për informata të rëndësishme, paraprakisht ka kërkuar nga Administrata e Thesarit të dhënat e përgjithshme për ndarjen e buxhetit të Serbisë për Kosovën.
Në përgjigjen e tij, institucioni ka deklaruar se nuk disponon të dhëna të tilla.
Ndarja e shumave më të larta – një kosto e justifikuar a një mesazh politik?
Sipas Ligjit për buxhetin, shihet se Qeveria e Serbisë ka paraparë rreth katër milionë euro më shumë para për funksionimin e institucioneve dhe organizatave në Kosovë se sa këtë vit.
Këtu është përfshirë puna e institucioneve lokale të minoritetit serb në Kosovë, e institucioneve edukative dhe arsimore, si dhe e institucioneve shëndetësore.
Arsimi dhe shëndetësia nuk janë të integruara në sistemin e Kosovës.
Një pikë e veçantë në buxhet i referohet mbështetjes për “përmirësimin e cilësisë së jetës së popullatës serbe dhe joshqiptare”. Dhe, për këtë qëllim janë planifikuar më shumë para në buxhet krahasuar me vitin 2022 – rreth 4.7 milionë euro.
Dragan Popoviq nga Qendra joqeveritare për Politikë Praktike thotë se, si duket, gjithnjë e më shumë po ndahen para për Kosovën, porse transparenca e atyre kostove nuk po rritet.
Ai tregon se pika “përmirësimi i cilësisë së jetës” së popullatës serbe dhe joshqiptare është veçanërisht problematike.
“Të gjithë ne që shkojmë në Kosovë, mund të konfirmojmë se nuk mund të shohim se ku po shkojnë ato para. Ju keni shërbime publike që funksionojnë në kushte të këqija”, thotë ai.
Para shtesë ndahen për të mbështetur “informimin e qytetarëve të Kosovës në gjuhën serbe”, dhe për këtë është planifikuar të ndahen 85 mijë euro më shumë sesa sivjet.
Popoviq beson se me ndarjen e buxhetit për Kosovës, pjesërisht blihet “mbështetja politike” e serbëve që jetojnë në Kosovë.
Aty ‘mbahet’ një numër i madh njerëzish që u paguhen rroga në bazë të kontratave të ndryshme, shpesh edhe pa kontratë dhe në këtë mënyrë blihet mbështetja politike”, thekson Popoviq.
REL-i nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Financave se përse është rritur buxheti për Kosovën.
Më 5 nëntor të atij viti, përfaqësuesit e serbëve nga komunat në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës – gjyqësor, polici, Qeveri dhe Kuvend – pasi u shkarkua drejtori i policisë për rajonin e veriut nga radhët e komunitetit serb në Kosovë.
Mënyra se si shpenzohen mjetet e buxhetit të Serbisë në Kosovë, ka qenë temë edhe e Komisionit Hetimor të Kuvendit, i formuar në maj të vitit 2013. Hetimi lidhej me periudhën 2000-2012.
Pas hetimeve, komisioni miratoi një raport në prill të vitit 2014, në të cilin thuhej se janë gjetur keqpërdorime të parave dhe shpenzime të papërshtatshme pothuajse në të gjitha fushat – shëndetësi, arsim, ndërtim të objekteve infrastrukturore.
Ai raport është dashur të jetë para deputetëve në Kuvendin e Serbisë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë.
“Më shumë para për bashkëpunim”
Banorët e Beogradit, Marko Petkoviq, student i Historisë, dhe Juliana Angjelloviq, avokate e pensionuar, treguan për REL-in se çfarë mendojnë për rritjen e shumës së mjeteve për Kosovën nga buxheti i Serbisë.
Marko mbështet qëndrimin zyrtar se Serbia nuk duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, por shton se duhet bërë përpjekje për afrimin e serbëve dhe shqiptarëve dhe për të investuar në bashkëpunimin ndëretnik.
“Nuk mendoj se do të ishte keq, këta janë hapa (të parë)”, thotë ai.
Juliana Angjelloviq beson se Serbia “nuk ka më asgjë” me Kosovën dhe se ajo “i përkrah vetëm njerëzit” që jetojnë në Kosovë.
“Njerëzit (në Kosovë) marrin një ndihmë nga kjo përsëri, gjë që është mirë, por mendoj se është për arsye politike që të qëndrojnë atje, në mënyrë që të mund të thuhet se qeveria po avokon dhe po punon shumë dhe po lufton për ta”, thotë ajo.
Debati për buxhetin në Kuvendin e Serbisë
Debati për buxhetin filloi më 24 tetor, kur para deputetëve të Kuvendit të Serbisë u prezantua Ligji për buxhetin e vitit 2024.
Ministria e Financave njoftoi se buxheti “vazhdon politikën e Qeverisë që synon ruajtjen e standardit jetësor të qytetarëve”.
Këshilli Shtetëror Fiskal i Serbisë vlerësoi se deficiti i Serbisë është ende shumë i lartë, gjegjësisht se shpenzimet janë dukshëm më të larta sesa të ardhurat.