Arsye Pse Ju Merret Fryma Të Cilat Nuk Lidhen Me Aktivitetin Fizik
Kur keni ndjesinë se po ju merret fryma mund të jetë e frikshme. Sidomos nëse nuk jeni i sigurt se çfarë e shkakton atë.
Sigurisht, nëse bëni një stërvitje intensive është normale të ndjeni se po ju merret fryma. Por kur flasim për aktivitete të thjeshta si për shembull, ngjitja e shkallëve apo edhe kur jeni ulur duke ngrënë, atëherë mund të jetë një rast urgjent.
Se cilat janë disa nga arsyet se përse ju merret fryma edhe kur kryeni lëvizje te thjeshta, AgroWeb.org ju sugjeron t’i mësoni më poshtë.
Ankthi
Në një situatë stresuese, zemra dhe ritmi i frymëmarrjes rriten, gjë që mund t’ju japë ndjesinë se keni mungesë frymëmarrjeje.
Kur ankthi është shkaku, gulçimi zakonisht zgjat nga 10-30 min. Episodet zakonisht ndodhin papritur dhe burojnë nga një ndjenjë frike ose shqetësimi.
Mund Të Keni COVID
Një nga shumë simptomat pas ekspozimit ndaj virusit është gulçimi ose vështirësia në frymëmarrje.
Nëse keni probleme me frymë marrjen, pas një ekspozimi ndaj COVID, pyesni mjekun tuaj nëse duhet të testoheni.
Alergjia Ose Astma
Shumë gjëra mund të shkaktojnë një përgjigje alergjike, ajo mund të jetë për shkak të ekspozimit ndaj pluhurit, polenit ose aromave të forta.
Ky shtrëngim është një bronkospazëm, që ndodh kur rrugët tuaja të frymëmarrjes ngushtohen, duke dhënë ndjesinë e marrjes së frymës.
Ekspozimi ndaj alergjenëve ose irrituesve në ajër mund të shkaktojë simptoma të astmës. Kur keni astmë, gulçimi shpesh shoqërohet me një tingull kërcitës ose fishkëllimë kur merrni frymë.
Mund të keni anemi
Anemia është një gjendje ku keni nivele të ulëta të qelizave të kuqe në gjak. Shkaku është kryesisht mos marrja e mjaftueshme e hekurit.
Këto qeliza sjellin oksigjen në indet tuaja. Kur ato mungojnë atëherë ju mund të ndiheni të lodhur, të keni marramendje dhe t’ju merret fryma.
Kur Ajri Është I Ftohtë
Ekspozimi në ajër të ftohtë, mund të shkaktojë një përgjigje të ngjashme me astmën. Kjo mund të ndodhë edhe tek njerëzit e shëndetshëm, por shpesh ndodh tek ata probleme të frymëmarrjes si astma.
Mbuloni hundën dhe gojën me një shall, për të ngrohur ajrin dhe për të zvogëluar këto simptoma.
Mund Të Keni Probleme Me Zemrën
Gulçimi është një nga simptomat e sëmundjes së valvulës mitrale dhe kardiomiopatisë. Gjithashtu nëse nuk mbusheni mjaftueshëm me frymë, mund të jetë një shenjë paralajmëruese e një sulmi në zemër. Dhe kjo mund të ndodhë me ose pa dhimbje gjoksi.
Mund Të Jetë Kanceri I Mushkërive
Vetë tumoret kancerogjene mund të shkaktojnë një pengesë në mushkëri dhe gjithashtu mund të ndikojë në funksionimin e muskujve të frymëmarrjes.
Për fat të keq, kjo simptomë shpesh shfaqet vonë dhe është një tregues që kanceri ka avancuar./AgroWeb.org