Korrupsion me shfrytëzimin e plazhit, dy nëpunës në pranga
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, SPAK njoftoi të premten hetimin dhe ndalimin e dy nëpunësve publikë, një i zyrës së Urbanistikës në Bashkinë Sarandë dhe tjetri inspektor Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, pasi dyshohet se kanë marrë rryshfet për të nxjerrë leje shfrytëzimi plazhi dhe për mos prishjen e një objekti të ndërtuar pa leje. Procedimi është filluar nga prokuroria e Sarandës, që e ka përcjellë për kompetencë lëndore në SPAK.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasit S. D. dhe F. D. janë përballur me një situatë problematike për pajisjen me leje për shfrytëzimin e plazhit në Ksamil, ku kishin ndërtuar një objekt. Në njoftim thuhet se punonjësi i zyrës së Urbanistikës në Bashkinë Sarandë, A.B., ka ndërvepruar me shtetasit F. D. dhe S. D., të cilëve iu ka kërkuar 12 mijë euro për të ushtruar ndikim të paligjshëm tek Agjencia Kombëtare e Bregdetit për t’iu nxjerrë lejen e shfrytëzimit të plazhit.
“Në muajin Korrik të vitit 2021 shtetasi A. B. ju ka marrë këtyre shtetasve shumën prej 6.000 (gjashtë mijë) Euro dhe kanë biseduar që pjesën tjetër do t’ia jepnin kur të nxirrej leja, por më vonë marrëveshja nuk është arritur të realizohej dhe shtetasi A. B. ia ka kthyer shumën monetare”, citohet në njoftim dhe shtohet se ka dyshime të arsyeshme se punonjësi i Bashkisë Sarandë ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Por, problemet e shtetasve F. D. dhe S. D. nuk kanë mbaruar me kaq. Ata janë përballur me kërkim ryshfeti nga nëpunësit publike edhe për në lidhje me një objekt të ndërtuar prej tyre në Ksamil, për të cilin kishin nisur procedurat e legalizimit.
Sipas prokurorisë, gjatë inspektimeve të kryera nga IKMT-ja në vitin 2019 subjekti “F. D.”, është proceduar me masë administrative. Në muajin mars të vitit 2020, inspektori i IKMT-së, shtetasi J. P., i ka kërkuar shtetasit F. D. shumën monetare 7500 euro me premtimin se nuk do të prishej objekti. Pas negocimeve, F.D. i ka dhënë shumën prej 3000 eurosh dhe objekti nuk është prishur në 2020-ën, edhe pse ka pasur vendim prishje nga IKMT që prej muajit Shtator të vitit 2019. Nga dokumentacioni i administruar prej SPAKm ka rezultuar se objkti në fjalë është prodhur vetëm në qershor të vitit 2021.
Për inspektorin e IKMT-së është regjistruar hetimi për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ndaj dy të proceduarve, është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg” që është ekzekutuar të enjten më 26 tetor.