Tue, Nov 26, 2024

Si e llogarit Ministria e Shëndetësisë e Gazës numrin e të vrarëve në luftë?

  • PublishedOctober 27, 2023

Sa palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej se nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit?

Nuk është e lehtë të japësh përgjigje të saktë derisa Izraeli e mban të rrethuar dhe e bombardon pareshtur Gazën.

Shërbimi telefonik nuk është i mirë. Rrymë dhe internet nuk ka. Rrugët janë prishur dhe lagjet janë rrafshuar nga bombardimet, duke e ngadalësuar punën e ekipeve të shpëtimit.

Mjekët shkarravisin në fletoret e tyre në korridoret e spitaleve dhe morgjeve të mbingarkuara, duke pasur vështirësi t’i llogarisin trupat e ngecura nën rrënoja dhe të hedhur në varrezat masive të gërmuara me nxitim. E gjithë kjo rrëmujë i ka shtuar mundësitë për gabime.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë në Gazë një agjenci në Qeverinë e udhëhequr nga Hamasi vazhdon ta llogarisë numrin e përgjithshëm të të vrarëve.

Ajo e publikoi raportin e parë të hollësishëm për numrin e të vrarëve të enjten, duke dhënë emrat, numrat personalë, moshën dhe gjininë e palestinezëve për të cilët thotë se janë vrarë.

Numri i përgjithshëm i të vrarëve është 7.028 palestinezë, përfshirë 2.913 fëmijë, sipas kësaj Ministrie.

Ministria është burimi i vetëm zyrtar për numrin e të vrarëve në Gazë. Izraeli i ka mbyllur kufijtë e Gazës duke ua ndaluar hyrjen gazetarëve të huaj dhe punëtorëve humanitarë.

Associated Press është në mesin e një numri të vogël të organizatave ndërkombëtare të lajmeve që ka ekip brenda Gazës.

Derisa këta gazetarë nuk mund ta bëjnë një llogaritje gjithëpërfshirëse, ata e kanë parë një numër të madh të kufomave në vendet e goditura nga sulmet ajrore, në morgje dhe në varrime./REL

Artikulli i plotë këtu.

AlbaniaWeb.net