Tue, Nov 19, 2024

Irani: Sulmet e Izraelit në Gazë mund të detyrojnë të gjithë të veprojnë

  • PublishedOctober 29, 2023

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, tha më 29 tetor se bombardimet e vazhdueshme të Izraelit në Gazë “mund të detyrojë të gjithë” të veprojnë. Ky është paralajmërimi i fundit i lëshuar nga Republika Islamike që kur nisi lufta mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, tri javë më parë.

Izraeli ka bombarduar territorin e Rripit të Gazës që kur militantët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë mbi 1.400 persona, shumica prej tyre civilë.

Që atëherë, në Gazë janë vrarë mbi 7.700 persona, gjysma e tyre fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

“Krimet e regjimit zionist kanë kaluar vijat e kuqe dhe kjo mund të detyrojë të gjithë që të ndërmarrin veprime”, shkroi Raisi në X, që më herët njihej si Twitter.

“Uashingtoni na ka kërkuar ne që të mos bëjmë asgjë, por ata vazhdojnë t’i japin mbështetje të madhe Izraelit”, tha ai.

“SHBA-ja ka dërguar mesazh te Boshti i Rezistencës, por ka marrë një përgjigje të qartë në fushëbetejë”, tha Raisi, duke iu referuar rrjetit që ka Republika Islamike dhe aleatët e saj, sikurse Hezbollahu në Liban, rebelët huthi në Jemen dhe forca të tjera shiite në Irak dhe Siri./REL

AlbaniaWeb.net