Tue, Nov 19, 2024

Tërhiqet Australia! Arabia Saudite pritëse e Kupës së Botës 2034

  • PublishedOctober 31, 2023

Arabia Saudite pritet të jetë nikoqire e Kupës së Botës 2034, pasi Australia u tërhoq nga gara për ta organizuar këtë turne të futbollit.

Federata e Futbollit e Australisë njoftoi vendimin për tërheqjen vetëm pak orë para se të mbaronte afati i fundit i FIFA-s për deklarimin e interesimit të martën.

Tani, Arabia Saudite është kandidatja e vetme për ta organizuar botërorin e burrave në futboll.

“Ne kemi ardhur në përfundim të mos e bëjmë këtë [kandidojmë] për garën e 2034-ës”, tha Federata australiane në një komunikatë për media.

Ajo thotë se qëllimi i saj është të përqendrohet në përpjekjet për ta organizuar Kupën e Grave të Azisë më 2026 dhe Kupën e Botës për Klube më 2029.

Kupa e Botës 2026 do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.

Maroku, Portugalia dhe Spanja do ta organizojnë Kupën e Botës 2030, por ndeshjet do të luhen edhe në Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai.

Katari ishte nikoqir i Botërorit të fundit, 2022, midis sezonit të futbollit evropian për klube në nëntor dhe dhjetor, në mënyrë që ta shmangte të nxehtit ekstrem në muajt e verës dhe gjasat janë që edhe Botërori në Arabinë Saudite të mos mbahet në orarin tradicional qershor-korrik.

Pasi Katari u përball me akuza të gjata për abuzim me të drejtat e punëtorëve emigrantë, të cilët punuan për ndërtimin e stadiumeve, edhe Arabia Saudite do të përballet me disa kritika të njëjta gjatë përgatitjeve për organizimin e turneut./REL

AlbaniaWeb.net