Ndotja e ajrit, raporti: Mosha mesatare e mjeteve nuk është ulur, dominon nafta
Mosha mesatare e mjeteve që qarkullojnë në vend ka ardhur në rritje teksa sa i takon llojit të karburantit që konsumojnë, dominon nafta. Një raport performance i titulluar “Ndikimi i mjeteve të transportit rrugor në cilësinë e ajrit” i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka analizuar treguesit e 5 viteve të fundit për të parë panoramën në vend. Kështu audiuesit vërejnë se nëse shikojmë me kujdes ecurinë përgjatë periudhës 2015-2022, ka pasur një shtim të konsiderueshëm të numrit të mjeteve rrugore që përdorin naftën, e cila ndot më shumë ajrin krahasuar me lëndët e tjera djegëse.
“Përgjatë gjithë periudhës 2015-2022, mjetet rrugore të cilat përdorin këto tre lloje karburanti përbëjnë rreth 99 % të totalit të flotës. Pra, mjetet rrugore që përdorin naftën si lëndë djegëse nuk kanë ndryshuar në raportin e tyre ndaj totalit.
Numri total i mjeteve rrugore është rritur me rreth 220,000 mjete nga 2015 në 2022 ose me 30%. Në këtë rritje, kanë kontribuar më shumë mjetet rrugore me naftë të cilat janë shtuar me rreth 158,000 nga viti 2015 në 2022. Pjesa tjetër e shtimit i përket mjeteve rrugore me benzinë dhe gaz (rritur me rreth 30,000 nga 2015 në 2022) dhe atyre me benzinë të cilat janë shtuar me rreth 25,000 për të njëjtën periudhë” thuhet në raport.
KLSH konstaton se mosha mesatare e flotës së mjeteve rrugore për 8 vitet e fundit (2015-2022) është 17.25 vjet. Pra, nëse për vitin 2015 për të gjithë flotën e mjeteve rrugore, mosha mesatare ishte 17 vjet, për vitin 2022 mosha mesatare ishte 18 vjet./Monitor
Artikulli i plotë këtu.