Gjykata Administrative legjitimon shoqërinë civile në betejën për zonat e mbrojtura
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, 11 organizata mjedisore dhe ligjore në Shqipëri lajmëruan të mërkurën se në Gjykatën e Apelit u arrit kundërshtimi gjyqësor i dy vendimeve të Këshillit të Ministrave mbi zvogëlimin e sipërfaqeve të zonave të mbrojtura në vendin tonë.
“Gjykata Administrative e Apelit ka pranuar të legjitimojë 11 organizata të shoqërisë civile, të njohura për aktivitetin e tyre pro mjedisit, për të kundërshtuar vendimet që kanë zvogëluar sipërfaqet dhe kanë ulur statusin e disa prej Zonave të Mbrojtura të vendit tonë”, citohet në deklaratën e përbashkët për shtyp, duke e cilësuar këtë si një hap të drejtë për mbrojtjen e mjedisit.
Specifikisht u arritën kundërshtimet gjyqësore të VKM-së nr.59 të datës 26.01.2022, “Për Miratimin e Ndryshimit të Statusit dhe Sipërfaqes së Ekosistemeve Natyrore të Parkut Kombëtar (Kategoria II) të Zonave të Mbrojtura Mjedisore dhe të VKM-së nr.60 të datës 26.1.2022, “Për Shpalljen e Ekosistemeve Natyrore, Rezervave Natyrore të Parkut të Menaxhuar/Natyral (Kategoria IV)”.
“Zonat e mbrojtura që rrezikoheshin prej zvogëlimit të sipërfaqeve të parashikuar në VKM-në 59 përfshijnë parqet kombëtare të Butrintit, Divjakës, Dajtit, Qaftshtamës, Zall Gjoçaj, Shebenik, si edhe parqet natyrore të Korab Koritnik, Bredhi i Kardhiqit, Karaburun, Kune-Vain Tale, Patok-Fushëkuqe Ishim, dhe Liqenin e Shkodrës të rrezikuar nga VKM 60”, saktësoi për BIRN Besjana Shehu, bashkëthemeluese dhe anëtare e Bordit të Këshillimit pranë Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë AOS.
Sipas aktivistëve mjedisorëve, heqja e statusit të zonës së mbrojtur apo zvogëlimi i sipërfaqes së tyre mund t’i hapte terren investimeve të mundshme apo abuzimeve të natyravë të tjera në këto zona.
“Pas kundërshtimit të këtyre VKM-ve kthehet kthehet statusi i mbrojtjes të sipërfaqeve të hequra nga Zonat e Mbrojtura, e si rrjedhojë ndalohen dhe zhvillimet e mundshme infrastrukturore të paqëndrueshme në këto zona”, përfundoi Shehu.