Deputeti i Vetëvendosjes: S’ka Asociacion pa njohje “de facto”
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë se s’do ketë themelim të Asociacionit, pa u zbatuar në tërësi marrëveshja bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, që sjell njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia.
Sipas deputetit të partisë në pushtet, Adnan Rrustemi, plani euro-amerikan për sekuencimin e ujdisë së Brukselit është gjithpërfshirës, ku mes tjerash edhe drafti për Asociacionin bazohet në Kushtetutën e vendit dhe që s’do të ketë kompetenca ekzekutive.
Megjithatë, Rrustemi për KosovaPress thotë se nëse do të ketë nënshkrim të marrëveshjes i mbetet Gjykatës Kushtetuese, të thotë fjalën e fundit për Asociacionin.
Sipas tij, për Kosovën do të jetë e papranueshme që Asociacioni të trajtohet vetëm si pikë e veçantë dhe mos të ketë plan të qartë të zbatimit të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.