Lufta në Gaza, Blinken takon Abbasin dhe niset për në Turqi
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka realizuar një vizitë të papritur në Bregun e pushtuar Perëndimor të dielën, dhe është takuar me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmouad Abbas, në kuadër të udhëtimeve në atë rajon dhe u nis për në Turqi.
Blinken dhe Mahmouad Abbas janë takuar në qytetin e Bregut Perëndimor, Ramallah, në vizitën e dytë të diplomatit amerikan prej shpërthimit të luftës Izrael-Hamas.
Militantët e Hamasit kanë nisur sulme në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë mbi 1.400 njerëz dhe duke i marrë mbi 240 pengje. Izraeli më pas i ka shpallur luftë Hamasit, i cili udhëheq Gazën.
Teksa Izraeli i vazhdon sulmet ajrore në Gazë, autoritetet palestineze kanë thënë se mbi 9.500 njerëz janë vrarë. Blinken ka bërë thirrje, por pa sukses, që Izraeli të pajtohet për pauza humanitare, që të mund të dërgohen ndihma në Gazë.
Përveç që synon të sigurohet se konflikti nuk do të përhapet më tej në rajon, Blinken dëshiron t’i nisë diskutimet se si do të qeveriset Gaza, pas shkatërrimit të Hamasit, të cilin e synon Izraeli.
Dy liderët kanë diskutuar për gati një orë, por nuk janë deklaruar para mediave. Abbas i ka thënë Blinkenit se duhet të arrihet armëpushim i menjëhershëm dhe që duhet të mundësohet dërgimi i ndihmës në Gazë, sipas zëdhënësit të tij, Nabil Abu Rudeineh.