Republikanët thërrasin për dëgjesë djalin dhe vëllain e Biden-it
Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve lëshuan të mërkurën fletëthirrje për familjarët e Presidentit Joe Biden, hapi i tyre më agresiv në procesin e mundshëm për hapjen e hetimeve për shkarkimin e presidentit.
Procesi kundërshtohet ashpër nga demokratët ndërsa vihet në provë shtrirja e pushtetit mbikëqyrës të Kongresit.
Lëvizja e shumëpritur nga republikani James Comer, kryetar i Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, për të thirrur Hunter Biden, djalin e presidentit dhe vëllain e tij, James, vjen ndërsa republikanët kërkojnë të fitojnë terren në hetimin e tyre gati njëvjeçar.
Deri më tani, ata nuk kanë arritur të zbulojnë prova që e lidhin presidentin drejtpërdrejt me ndonjë keqbërje.
Por republikanët thonë se, provat që ata kanë zbuluar nxjerrin në pah një pamje shqetësuese të përdorimit të emrit Biden nga familja e presidentit për të ndikuar në marrëdhëniet e tyre të biznesit, veçanërisht me klientët e huaj.
“Tani, Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen do të sjellë anëtarë të familjes Biden dhe bashkëpunëtorët e tyre për t’i marrë në pyetje lidhur me provat,” deklaroi ligjvënësi James Comer.
Situata është jashtëzakonisht e tendosur, pasi hetimi mund të pasojë në ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Biden, dënimi më i rëndë që Kushtetuta amerikane e cilëson si “krim të lartë dhe shkelje”.
Në bazë të fletëthirrjeve, Hunter Biden, James Biden si dhe ish-bashkëpunëtori i biznesit Rob Walker duhet të paraqiten për të dëshmuar përpara Komisionit të Mbikëqyrjes./VOA
Artikulli i plotë këtu.