“Fadil Vokrri” nuk ishte në nivelin e duhur, FFK: Stadiumi ka patur ngarkesë me aktivitete
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e arsyetoi të hënën gjendjen e rënduar të fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me numrin e madh të ngjarjeve që mbahen në të.
Fusha e përbaltur gjatë fitores së Kosovës 1:0 kundër Izraelit në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 të dielen mbrëma ishte në qendër të vëmendjes.
Ajo shkaktoi reagime të mëdha në rrjetet sociale dhe nxiti edhe Komunën e Prishtinës – e cila është pronarja e stadiumit dhe vetë FFK-në të dalin me sqarime rreth saj.
FFK e cila e menaxhon fushën në bazë të një marrëveshje nga dhjetori 2022 sipas Komunës së Prishtinës tha se “nuk mund ta marrë barrën për gjendjen e tillë të fushës, duke e ditur stërngarkesën e aktiviteve (jo vetëm sportive) në këtë stadium gjatë këtij viti.”
Ajo u ankua se “askush nga institucionet, qoftë të nivelit lokal apo qendror, nuk është marrë asnjëherë me çështjen e fushës, ndonëse prej shumë kohësh e kemi ngritur zërin për urgjencë dhe për nevojën e një stadiumi alternativë”.
Fusha plot baltë dhe ujë ua vështirësoi lojën skuadrave dhe pas ndeshjes, lojtarët e Izraelit u ankuan për gjendjen e saj, përfshirë kapitenin Eli Dasa.
Aq e keqe ishte gjendja e fushës gjatë ndeshjes saqë e largoi vëmendjen nga masat e rrepta të sigurisë dhe mungesa e tifozëve në stadium për këtë ndeshje.
Madje, FFK-ja tha se i vjen keq për “mungesë mbështetjeje për djemtë tanë dardanë, të cilët dhanë maksimumin e tyre në një fushë të tillë të rënduar. Të gjithë u morën me negativitet dhe askush nuk mori mundin t’i lavdërojë djemtë në fushë si dhe institucionet e sigurisë për një punë fantastike në mbarëvajtjen e kësaj ndeshje, e cila përveçse e rëndë në fushë, ishte e tillë edhe jashtë fushës.”/REL
Artikulli i plotë këtu.