Wed, Nov 27, 2024

Leku ngjitet, Euro po prek fundin

  • PublishedNovember 13, 2023

Leku e ka nisur këtë javë duke fituar pikë në kursin e këmbimit me valutat e tjera. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të hënën me 104.25 lekë, në rënie të mëtejshme me 0.17 pikë që nga fundi i javës së kaluar.

Euro ka prekur tashmë një nivel të ri minimal për tre muajt e fundit. Për herë të fundit, Euro i ishte afruar nivelit të 104 lekëve në mesin e muajit gusht, kur kursi ishte ende nën efektin e sezonit turistik.

Tendencë të ngjashme po shënojnë edhe valutat e tjera të huaja. Dollari Amerikan u këmbye me 97.5 lekë, në rënie me 0.34 pikë krahasuar me fundin e javës së kaluar. Paundi Britanik zbriti në 119.37 lekë, 0.1 pikë më pak krahasuar me të premten. Franga zvicerane zbriti në 108.07 lekë, 0.42 lekë më pak krahasuar me mbylljen e javës së kaluar.

Forcimi ndaj monedhës europiane është përcaktues edhe në raportet me valutat e tjera. Ashtu si Euro, edhe valutat e tjera të huaja ndodhen në vlerat më të ulëta të tre muajve të fundit.

Pozitat e forta të Lekut në kursin e këmbimit janë të lidhura me rritjen e flukseve hyrëse dhe përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë, por edhe me politikën e shtrënguar fiskale të qeverisë shqiptare. Flukset e larta hyrëse nga turizmi dhe investimet e huaja direkte e kanë përmirësuar ndjeshëm Bilancin e Pagesave këtë vit.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin 2023 deficiti kishte vlerën e 323 milionë eurove, në rënie me 27.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vlerësohet se përmirësimi ka vijuar edhe në tremujorin e tretë, i shtyrë sidomos nga shifrat rekord të turizmit hyrës./ Monitor

AlbaniaWeb.net